Vullnetarët e PS fillojnë fushatën me sloganin e Erion Veliajt dhe shallin e fushatës së Ramës më 18
Nëse do të shikoni grupe të veçanta të rinjsh ose edhe individë të veçantë që të ndalojnë dhe të bëjnë disa pyetje “trendy”, dhe më në fund të marrin mendim për Edi Ramën, ata janë vullnetarët e PS. Djem e vajza të rinj, të cilët shpërndahen në të gjitha rrugët e qyteteve dhe ndalojnë çdo njeri që kalon përpara për t’i komunikuar se nga vijnë dhe cili është misioni tyre. Misioni i tyre ka të bëjë me propagandën për të afruar sa më shumë njerëz pranë PS në këtë prag fushate elektorale. Ata iu kërkojnë kalimtarëve numrat e kontaktit, adresat, postën elektronike etj. pas këtij momenti, ata dërgojnë disa e-mail-e për të bindur “viktimën” e tyre se PS është partia më e mirë dhe se aty çdokush do të gjejë vetveten dhe atje përfundon misioni i tyre. Por që në këtë moment, ata e raportojnë secilin prej individëve si një votues të mundshëm të PS, edhe pse kushdo prej atyre që pranon të flasë me vullnetarët e PS, mund të jetë votues fanatik i majtë, apo edhe i djathtë dhe se biseda me vullnetarët e PS nuk ka peshë në bindjet e tij politike. Në këtë rast, bëhet fjalë për një entuziazëm të tepruar lidhur me rezultatet e punës së vullnetarëve të PS. Pavarësisht se cili do të jetë roli dhe rezultati i tyre në fushatën e PS, rrejti i vullnetarëve të kësaj partie, ka shpallur dje nisjen fushatës elektorale të PS, ku dhe janë shprehur objektivat e rrjetit të vullnetarëve për rolin që ata do të kenë në fushatën elektorale të partisë më të madhe të opozitës, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Duke ndjekur metoda amerikane si ato të demokratëve amerikanë, “socialistët e shekullit të rinj”, siç dhe i quan Rama, pretendojnë të bindin shumicën e shqiptarëve që të aderojnë të PS ose të binden që votën e tyre t’ia japin PS. Vullnetarët e PS mbajnë në dorë një formular tip, i cili ka disa pyetje. Njëra prej pyetjeve ka të bëje me Edi Ramën, dhe në fund të formularit ka vend për të lënë adresën, numrin e telefonit, me qëllim që të vendosen kontaktet për t’u anëtarësuar apo aktivizuar në PS. Kjo metode e huazuar nga fushata e demokratëve prej nga doli fitues presidenti i ri i SHBA, Barack Obama, i jep shpresë socialistëve për një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.