E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shkatërron gazetën “TemA”. Prish kontratën dhe urdhëron rrethimin me policë

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, vendosi dje që të rrethojë me policë ambientet ku është e vendosur gazeta “TemA”, për ta detyruar që të largohet prej tyre, edhe pse ambientet janë marrë përmes një kontrate koncesionare 20-vjeçare, fituar në mënyrë të rregullt, dhe zbatuar në mënyrë strikte duke realizuar investime në mjedise dhe makineri. Dje, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë objekt të rëndësisë së veçantë Tipografinë Ushtarake, ku ndodhen dhe ambientet e shoqërisë “Mediasoft” që boton gazetën “TemA”.

Por, një ditë më parë, ministri i Ekonomisë dhe Privatizimeve ka vendosur të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë “Mediasoft”, për t’i paraprirë këtij vendimi qeveritar.

Vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme, pa i bërë asnjë njoftim kompanisë.

Vendimi me sfond politik synon goditjen e gazetës “TemA” për qëndrimet e saj. Kjo për shkak se në këto ambiente janë të vendosura katër kompani të ndryshme, “Sagem”, shtypshkronja e letrave me vlerë, Tipografia Ushtarake dhe shoqëria “Mediasoft”. Ajo që është për t’u theksuar është se shoqëria dhe ambientet e gazetës “TemA” nuk kanë aspak lidhje fizike me vendin ku do bëhen dokumentet e identifikimit. Dokumentet e identifikimit mund të jenë të rrezikuara nga gazeta “TemA”, po aq sa janë të rrezikuara nga kafenetë e Porcelanit serviset e makinave apo dhe magazinat tregtare rreth e qark saj.

Për të sqaruar opinionin publik, gazeta “TemA” bën me dije se ambientet e saj dhe të shoqërisë “Mediasoft” janë të vendosura në mjediset e Tipografisë Ushtarake, e cila ka 9 mijë metra katrorë. Shoqëria “Mediasoft” ka 645 metra dhe të veçuara nga ndërtesa e madhe.

Vetë qeveria e ka rrëzuar këtë justifikim, kur ka vendosur sivjet, në nëntor, që këtu të instalohet dhe një tjetër shtypshkronjë, ajo e letrave me vlerë.

Vendimi i qeverisë hyn menjëherë në fuqi dhe më pas do të botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, gazeta “TemA” ka angazhuar një studio ligjore që të hedhë poshtë pretendimin për prishje të njëanshme të kontratës për interes publik, pasi rrezikohet siguria e një prej kompanive që punojnë aty.

Kjo goditje ishte e mirëplanifikuar për të dëmtuar gazetën “TemA”, pasi dy makineritë e shtypit të montuara aty duan së paku 6 muaj të lëvizin nga ky vend dhe kërkojnë super-shpenzime të tjera për montim dhe çmontim.

Gazeta “TemA”, një histori denoncimesh ndaj skandaleve të qeverisë “Berisha”

Për të gjithë ata lexues, gazeta “TemA” bën dhe njëherë me dije se ishte ajo që hapi e para librin e denoncimeve ndaj kësaj qeverie. Në ditët e para, kur kryeministri, Sali Berisha, po rekrutonte njerëzit për stafin e tij të ngushtë, gazeta “TemA” hodhi dritë mbi pasurinë e dyshimtë dhe mbi aferat e njeriut që do e këshillonte kryeministrin për çështjet antikorrupsion. Duke e parë këtë si ogur të keq, gazeta nisi pandërprerë denoncimin me fakte për shkelje flagrante të administratës.

Gazeta “TemA” ishte e para që botoi shkeljet e drejtorëve të ardhur rishtas në PD nga Perëndimi dhe që kishin kapur poste kyçe në ndërmarrjet strategjike të qeverisë. Kështu, “TemA” denoncoi shkeljet skandaloze të bëra nga drejtori i KESH, Andi Beli, me vjedhje prej miliona dollarësh brenda pak muajsh, denoncoi shkeljet spektakolare të drejtorit të Albtelekom, i cili realizoi brenda pak muajsh vjedhje marramendëse, duke ndjekur vijën e vjedhjeve që bëheshin aty, veçse në përmasa më dramatike e më hapur.

Kulmi i denoncimeve të gazetës “TemA” mbërriti me shkeljet e zbuluara në ISKSH, e cila drejtohet nga mbesa e gruas së kryeministrit, që nën tutelën e vajzës së Berishës po kryente vjedhje të pamasa në këtë institucion. Elvana Hana përmes një klani fisnor po zhvaste një nga institucionet e rëndësishme të shtetit.

Viti 2008 ishte edhe më i ngarkuar me denoncimet ndaj kësaj qeverie. Gazeta “TemA” ishte e para, që ditën e shpërthimit në Gërdec, drejtoi gishtin për nga personat përgjegjës, duke treguar se si ishte përgatitur infrastruktura ligjore për Gërdecin, një aferë unike korrupsioni, në të cilën ishte pleksur dhe djali i kryeministrit.

Denoncimet vijuan me skandalin e privatizimit të kompanisë ARMO, e cila u shpall se i ishte shitur në mënyrë të suksesshme një kompanie amerikane, por ra në duart e një mashtruesi shqiptar, i cili falë ndihmës së vajzës së kryeministrit shtiu në dorë këtë kompani, pa paguar ende asnjë qindarkë, e duke thyer dhjetëra ligje të shtetit shqiptar.

Gazeta “TemA” ka merita, se demaskoi fytyrën e vërtetë të kësaj qeverisjeje, kur publikoi aferat e një sekseri serbo-boshnjak, një ushtari të familjes Berisha, i cili pranoi edhe me gojën e vet se kishte bërë dhjetëra miliona dollarë në Shqipëri pa investuar askund, e pa kryer asnjë biznes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›