Arsyet politiko-sociale të djegies së Greqisë
Agamemnoni zgjodhi Trojën si vend beteje për të larë hesapet dhe rivendosur në vend nderin e vëllait të tij Menela, të cilit një princ trojan i kishte vjedhur gruan.
Historia, ose më mirë të themi legjenda, përcjell mesazhin se prej kapriços së Princit Paris, u dogj Troja, një qytet që kishte namin si i pamposhtur për t’u pushtuar. Nëse Homeri do të jetonte në ditët e sotme, në Iliadën e tij nuk do të kishte zgjedhur Trojën si vendngjarje të tragjedisë së tij, por me siguri ai do ta zëvendësonte qytetin e lashtë me një lagje të Athinës të quajtur “Exarchia”. Kjo lagje, ashtu si Troja, e ngarkuar me shumë histori. Manifestimet e studentëve të Universitetit të Athinës që nisën në këtë lagje në vitin 1973 sollën rrëzimin e diktaturës së kolonelëve, lagjja është një djep revolucionar, ku ndërthuren të gjitha rrymat politike ekzistente që njeh njerëzimi. Falë vendndodhjes së Universitetit Politeknik, ku kanë veprimtarinë grupe studentësh nga më të ndryshmet, lagjja hyri në botën mediatike si vendi ku gjeti vdekjen në mënyrë tragjike një adoleshent anarkist, vdekja e të cilit solli djegien e Greqisë.
Natyrisht, vdekja e djaloshit nuk mund të analizohet si i vetmi faktor që solli një revoltë urbane në të gjithë qytetet greke. Revolta është kristalizimi i shumë elementëve, gërshetimi i disa dinamikave sociale në Greqi, që vlonin prej disa kohësh. Greqia po ndeshet prej disa vitesh, ashtu si gjithë vendet e BE, me tri kriza ose probleme kryesore: krizën e përfaqësimit politik, demokracisë dhe institucioneve, problemet sociale më specifikisht të rinisë dhe së fundi krizën ekonomike. Të tria së bashku sollën një situatë të pakontrollueshme. Analiza e këtyre tre elementëve mund të japë një tablo më të qartë, sipas mendimit tim, për çka po ndodh në Greqi.
Kriza e demokracisë, përfaqësimit dhe institucioneve greke
Greqia konsiderohet me të drejtë vendi ku lindi demokracia dhe ku ajo zhvillua në formën primitive, por fillestare të saj.
Shteti helen, edhe pse djep i demokracisë, ka njohur dhe aplikuar shumë pak format moderne të funksionimit të demokracisë. Pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Perandoria Osmane në 1830, ajo adoptoi një sistem qeverisës të ngjashëm me Britaninë e Madhe duke qenë edhe në tutelën e saj për arsye strategjike, por pushteti mbeti në duart e një monarku, i cili kishte pushtet absolut. Sistemi presidencial i vendosur më vonë i ngjau më shumë një sistemi të monarkik, sepse pushteti ishte në duart e një personi të vetëm, presidentit.
Fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Greqinë përballë konfiguracionit të një lufte civile, ku pasojat politike dhe ekonomike do të ndiheshin gjatë. Regjimi diktatorial i kolonelëve eliminoi demokracinë që në praktikat administrative, në polici, ushtri dhe administratë shtetërore një kulturë ksenofobe ushtarake dhe tejet nacionaliste, të dhunshme, çka ka qenë e trashëguar edhe në ditët e sotme dhe mbetet ende mentalitet dhe metodë pune në administratën greke. Vitet e fundit, videot ku tregoheshin forma dhune dhe shprehje e hapur urrejtjeje dhe ksenofobie në polici dhe ushtrinë greke, flasin qartë për mentalitetin e këtyre institucioneve, të cilat janë larg formave dhe normave demokratike të një shteti anëtar të BE.
Klasa politike greke, edhe pas rivendosjes së Republikës dhe fundit të Monarkisë, ka qenë një klasë politike e pa-rinovuar dhe e mbetur plotësisht në trajtën trashëguese të pushtetit brenda familjes. Mjafton të shohësh se dy partitë kryesore që ka Greqia janë udhëhequr në këto 40 vitet e fundit nga dinastitë Papandreu dhe Karamanlis, të cilat dominojnë jetën politike greke me klanet e tyre dhe qarqe financiare të dyshimta.
Skandalet e njëpasnjëshme korruptive brenda kabinetit ‘Karamanlis’ flasin qartë sesa peng është kryeministri grek i këtyre kombinacioneve, shto këtu edhe mega-skandalet korruptive të kishës greke me një nga ministrat e kabinetit të tij. Në një shtet demokratik si Greqia, mos të harrojmë se Kisha Ortodokse është shtet brenda shtetit, çka e bën çdo qeveri dhe demokracinë të marrë një formë ortokratike.
Demokracia dhe institucionet, duke qenë në krizë përfaqësimi dhe institucionale, ishin të paafta të parandalonin dhunën dhe ngjarjet e fundit duke treguar se shteti, republika, demokracia janë në asfiksi. Kriza e përfaqësimit bëhet më e theksuar, sepse të rinjtë dhe vetë qytetarët grekë kanë krijuar një formë mosbesimi ndaj drejtuesve të tyre, ngaqë në thelb mungojnë alternativat, në një kohë që globalizimi ka bërë që diferencat ideologjike midis PASOK dhe Nea Demokratia të jenë të papërfillshme.
Një krizë sociale specifike nën sfondin e krizës ekonomike botërore
Origjina e krizës midis qeverisë dhe të rinjve grekë nis tre vite më parë, teksa qeveria greke shpalli një sërë reformash në arsim. Kjo solli lindjen e një lëvizjeje studentore të ndërthurur me lëvizjen e gjimnazistëve, të cilët dolën hapur kundër reformës së edukimit që ndërmori qeveria ‘Karamanlis’. Elementi që i vuri zjarrin benzinës ishte ligji mbi arsimin privat dhe universitetet private, i cili u pa me shumë sy të keq nga studentët. Ata panë te ky ligj një zhvlerësim të diplomave të tyre universitare.
Në të njëjtën kohë edhe sindikatat greke u ndjenë të prekura nga një sërë reformash të tjera, të cilat kishin në thelb privatizimin e shërbimeve publike, si postat, hekurudhat, Telekomin, aeroportet, gjë që solli reagimin e sindikatave dhe vetë grekëve, të prekur më shumë se kurrë nga rënia e ekonomisë.
Përbrenda një krize sociale ndërthuren dy probleme, problemi i rinisë greke dhe ai i punonjësve të administratës publike.
Të rinjtë vuajnë problemin e papunësisë, edhe pse të diplomuar, dhe punëtorët, dhe administrata ndihen të prekur jo vetëm në fuqinë blerëse, por edhe të sigurisë së vendit të punës; privatizimet shoqërohen me shkurtime të vendeve të punës.
Në një kohë ku shumë të rinj të diplomuar jashtë Greqisë me grada shkencore nuk po gjejnë vende pune në një vend evropian, ku shkalla e papunësisë është me e madhja brenda BE, shqetësimi forcohet edhe më shumë, teksa krize ekonomike globale ka për të sjellë efektet e saj në një ekonomi greke prej kohësh në vështirësi. Në këto kushte, është e vështirë për të rinjtë e sapodiplomuar dhe ata që ndodhen në auditorët e universiteteve të projektohen në një të ardhme më të mirë.
Lavdia ekonomike e Greqisë ka marrë fund në 2008. Në vitet 1990-2001, Greqia me ishujt e saj ishte kthyer në një nga destinacionet e preferuara të turistëve. Nga kjo industri shteti helen siguronte deri 60% të PKB.
Hov ekonomisë greke i dha në 2001 edhe nisja e kantierit të madh të Lojërave Olimpike. Ky proces hapi vende pune, madje solli për një moment të caktuar edhe një rritje ekonomike që shumë vende të BE e kishin zili.
Ajo periudhë përkoi edhe me lindjen e “turizmit low cost”, i cili po merrte në botë një formë tjetër, duke njohur një “demokratizim” të shumë destinacioneve të reja më të lira. Njerëzit, të cilët nuk kishin mjete financiare të përballonin më parë këtë gjë, u gjenden përballë ofertave joshëse me mundësinë të vizitonin destinacione për një çmim të arsyeshëm.
Në 2005, sipas statistikave të një operatori turistik francez, ishte 8 herë më lirë të kaloje një javë pushime në Turqi dhe Spanjë sesa në Greqi.
Greqia filloi të humbte pak e nga pak tregun e turizmit e duke humbur një pjesë të mirë të PKB që e siguronte nga turizmi. Më pak turistë do të thotë më pak vende pune të hapura, dhe prekje të ekonomisë familjare, e cila është vetë themeli i ekonomisë greke.
Me një PKB që është në rënie me 3,9% dhe një inflacion shumë herë më të lartë se rrogat, Greqia nuk mund t’i shpëtonte krizës së saj, aq më tepër kur sistemi i saj ekonomik dhe social i ndërtuar në vitet 1980 në bazë të një modeli social evropian nuk mund të japë më rezultatet që pati dhënë vite më parë, sepse, përballë fenomeneve të reja të globalizimit dhe liberalizimit, sistemi ekonomik social i shume vendeve evropiane është i tejkaluar.