Koha nuk pret, Edi Rama vazhdon eliminimin e dokumenteve komprometuese në bashki

Operacioni i zhdukjes së gjurmëve komprometuese nga bashkia e Tiranës, ka vazhduar këto ditë, më me intensitet nga ana e Edi Ramës. Duke qenë se numërimi mbrapsht, është duke përfunduar dhe atij i ngushtohet koha gjithnjë e më shumë, gjatë së cilës mund të bëjë ç’të dojë në bashki, operacioni i Edi Ramës, për spastrimin e dokumenteve shkresore dhe atyre që gjenden nëpër kumpjutera, ka vazhduar, jo vetëm me një ritëm e intensitet tjetër, por edhe me “gjetje” të tjera, të kushtëzuara nga koha. Ndërsa deri dje, të paktën, është parë që nga bashkia e Tiranës, të dalin dokumente me automjete, të digjen diku, të kthehen automjetet sërish e të kryejnë të njëjtin “ritual”, dje nga portat dalëse të bashkisë, shihej që me ngut, dilnin dokumente dhe largoheshin me automjete. Ndërsa automjetet ktheheshin vetëm pas pak minutash, kuptohej se qëllimin kryesor dje e përbënin thjesht dhe vetëm, largimi sa më parë i dokumenteve që kishin mbetur ende pa u eliminuar.
Prej ditësh, mësohet se, nëpunësit e bashkisë së Tiranës u janë vërsulur praktikave të ndryshme, duke i eliminuar ato, si dokumente që komprometojnë sjelljen abuzive me tenderët për punët publike në bashkinë e Tiranës. Dosje të shumta voluminoze, në inventarin e të cilave ndodhen dokumente pjesëmarrësish në tenderët e sajuar për punët publike, kanë filluar të nxirren e të asgjësohen, jashtë dhe larg godinës së bashkisë së Tiranës.
Pjesë e këtij operacioni të nëpunësve në ikje të bashkisë së Tiranës, janë edhe të tjera dokumente që kanë lidhje me projekte të ndryshme, pjesëmarrësish në konkurse fiktive, të organizuara në emër dhe për llogari të bashkisë së Tiranës.
Ndërsa identifikimi dhe asgjësimi i pjesës së dokumentuar, në letra të printuara, përbën një pjese operacionit të eliminimit të gjurmëve komprometuese, një interesim të madh, nëpunësit e bashkisë së Tiranës, kanë treguar këto ditë edhe për zhdukjen e gjurmëve elektronike. Në këtë kontekst, korrespodencat e shumta të realizuara nga bashkia e Tiranës, nëpërmjet adresave elektronike të e-maileve, apo edhe serveri elektronik dhe dokumentet e ndryshme e të shumta të gjendura nëpër kompjuterë, po pësojnë të njëjtin fat, po asgjësohen.