“Edi Rama po mban peng Shqipërinë, për të fituar zgjedhjet në tavolinë”
Edi Paloka
Deputeti demokrat Edi Paloka vërejti qëndrime tërësisht antikombëtare të kryesocialistit në detyrim, Edi Rama duke shtuar se ai në asnjë moment nuk ka kërkuar transparencë të zgjedhjeve, nuk ka kërkuar të zgjidhë problemet dhe defektet që mund të ketë Kodi Zgjedhor, për të pasur zgjedhje të tjera të ardhshme më të mira.
“Ai (Edi Rama) dhe ju që jeni në këtë sallë keni tentuar të bëni gjithçka në këto zgjedhje. Ai do fitore në tavolinë sepse e di, që duke mos fituar zgjedhjet parlamentare të qershorit, kurrë nuk ka për të fituar ndonjëherë”, u shpreh deputeti demokrat Edi Paloka, duke përforcuar reagimin e tij se “PS nuk e do transparencën, pasi gjatë gjithë këtyre muajve ata nuk kanë bërë asgjë, përveç tentativave për të cenuar ligjet dhe kushtetutën”.
“Edhe sot do t’i shohim, do t’i dëgjojmë fjalimet që u kanë përgatitur, do të thonë të njëjtat gjëra. Do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët që këta asnjëherë nuk kanë dashur transparencë. Pse? Le ta shohim historikun e këtyre muajve të fundit, mbi çështjet që kërkojnë këta. U krijua një zhurmë e madhe para dhe pas kongresit të PS-së, për hapjen e kutive, u deklaruar se qenka shkelur ligji sepse me ligj PS kishte të drejtë të rinumëronte kutitë e votimit. U çuan njerëzit nëpër protesta, nuk ka rëndësi se si u morën nëpër protesta. U gënjyen këta njerëz, u mashtruan shqiptarët, duke iu thënë se po kërkohet një e drejtë që i takon me ligj PS-së. Pastaj erdhi dita që po u digjeshin me ligj mandatet. Në parlament nuk janë futur për shkak të presioni të ndërkombëtarëve të përditshme, janë futur sepse Edi Rama e dinte se një pjesë e deputetëve të tij nuk do t’i digjte mandatet. Vetëm për këtë arsye u detyrua t’i lejojë që të vijnë dhe të bëjnë betimin. Megjithatë, hytë në parlament dhe pse të mos e vazhdonit lojën... Paraqitët dy nisma, që në fillim në shkelje të të gjitha procedurave të ligjit, sepse paraqitët një projektligj dhe një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, mbi këtë projektligj, në një kohë kur nuk ishte bërë ligji akoma. Megjithatë, e kaluam. Projektligji vetë, që u paraqitet për mendimin e ligjit për komisionin hetimor, ishte antikushtetues dhe ata e dinin shumë mirë që ishte antikushtetues. Ai neni 4 që ne e diskutojmë, prej kaq kohësh, ishte në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, prandaj këta zotërinjtë që në ditën e parë kur foli kryetari i grupit parlamentar të tyre, që tha, le t’i lëmë procedurat, le t’i lëmë ligjet dhe ejani të zgjidhim një krizë politike, kjo është çështje politike. Pra, të mos i shohim fare, as ligjet dhe as kushtetutën. Të njëjtën qëndrim mbajtën edhe në komisionin e ligjeve. Që në ditët e para, megjithëse për hipokrizi u përpoqën të gjenin justifikime ligjore, në fund fare të gjitha fjalët e tyre mbylleshin: ‘kjo është krizë politike dhe duhet zgjidhur me mjete politike’. Pra, të hedhim kushtetutën dhe të gjitha procedurat ligjore dhe hajde të zgjidhim ‘krizën politike’. Të kujt krize politike? Të asaj që kanë krijuar ata. Nëse duan ta zgjidhin, le të vijnë në parlament dhe është zgjidhur ‘kriza politike’”, deklaroi deputeti demokrat, Edi Paloka.
Në fund të fjalës së tij, Paloka vuri në dukje se “Edi Rama nuk ka asnjë interes tjetër, veçse të mbajë peng Shqipërinë dhe shqiptarët në aspiratën e tyre për integrim”.
...