E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita injoron ndarjen e pushteteve, kërkon pushtet në tavolinë

Mazhoranca argumente ligjore, përballë pretendimeve dhe preteksteve të opozitës

Kuvendi i Shqipërisë vijoi dje punimet maratonë të seancës plenare me rend dite diskutimin e dy drafteve të paraqitura nga opozita për transparencën e zgjedhjeve

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, megjithëse një jurist dhe që logjikisht duhet të ketë përvetësuar aktet ligjore të funksionimit të institucioneve të vendit, me deklaratën e tij në Kuvend, e vë në pikëpyetje nivelin e tij formues.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë vendim ligjor që ndalon ngritjen e komisionit hetimor por se e vetmja pengesë është mungesa e vullnetit politik të mazhorancës.

Xhafaj theksoi se nuk ka asnjë normë juridike që pengon që të hapen kutitë e materialeve duke shtuar se Partia Socialiste me hetimin e zgjedhjeve kërkon një transparencë të plotë.

Sipas tij, me ngritjen e një komisioni hetimor Partia Socialiste nuk synon të ngrejë akuza penale për askënd dhe të rishikojë vendimet që janë marrë nga kolegji zgjedhor por të evidentojë problematikat.

Por, i menjëhershme ka qenë reagimi i mazhorancës, përmes deputetit dhe anëtarit të komisionit të ligjeve, Viktor Gumi. Deputeti demokrat u shpreh se PS po tenton të injorojë ndarjen e pushteteve.

Sipas tij, kërkesat e opozitës bien ndesh me vendimet e gjykatave dhe ligjet në fuqi. Gumi vuri në dukje se hetimi i zgjedhjeve, duhet të jetë me objekt të përcaktuar dhe jo përgjithësues, pasi në këtë mënyrë do të cenohej pavarësia e pushteteve.

Relatori demokrat Viktor Gumi mbrojti argumentin se disa nga amendimet e propozuara nga socialistët në ligjin për komisionet hetimore, cenojnë Kushtetutën dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe si të tilla nuk mund të marrin miratimin e Kuvendit. Gjatë fjalës së tij në kuvend, kryeministri Berisha ka ftuar sërish opozitën të pranojë ngritjen e një komisioni hetimor për të bërë transparencën e zgjedhjeve ku ajo të ketë shumicën. Sipas tij ky proces nuk duhet të kthehet në një gjyq publik për komisionerët që administruan procesin zgjedhor.

“Hetimi parlamentar nuk mund të jetë i gjerë, por me objektiv të përcaktuar. Objekti është i fokusuar në një çështje të veçantë dhe jo të përgjithshme”, deklaroi deputeti demokrat, Viktor Gumi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›