PS nuk kërkon hetim zgjedhjesh, mbetet peng e krizës

Asnjë motivim ligjor në ligjëratat e mbrëmshme të socialistëve në parlament. Si me telekomandë, deputetët e Edvinit lexuan hartimet për bllokimin e politikës e zgjatjen e ngërçit, duke u shpallur si emisarë të një krize që po dëmton interesat e vendit. Oferta e fundit e mazhorancës: “Jo hapje të kutive, transparenca vetëm sipas ligjeve dhe kushtetutës”
Seanca parlamentare mbylli punimet mbrëmë vonë, pas një maratone të gjatë diskutimesh ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të kaluara, pa një qëndrim konkret apo për më tepër qoftë edhe një mundësi kompromisi. Koncensionet e mazhorancës, të cilat mirëfillti përbëjnë një shkallë të lartë tolerance për aq sa opozitës i atribuon ligji, vazhdojnë ta bëjnë të pabindur politikën kasnecë të Edvin Kristaq Ramës. Ndërkohë që sot mbërrin në Shqipëri, komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, çështja e një kompromisi të mundshëm PD-PS, vazhdon të mbetet i hapur, duke ditur se zyrtari i lartë i Brukselit ka kërkuar zgjidhje të ngërçit para vizitës së tij në Shqipëri.
Berisha: Opozita po e kthen Kuvendin në gjyq publik kundër 20 mijë komisionerëve socialistë
Kryeministri Sali Berisha duke marrë fjalën gjatë punimeve të seancës maratonë të parlamentit, u shpreh se akuzat e ashpra të opozitës, për kriminelë elektoralë, ndaj 20 mijë komisionerëve të saj, po e kthen Kuvendin në një gjyq publik. Kreu i qeverisë reagoi ashpër ndaj një akuze të tillë monstruoze nga ana e përfaqësuesve të opozitës, duke deklaruar se 20 mijë komisionerë mund t’i mbrojë edhe shumica, porsa kohë ata akuzohen për një “krim” që nuk e kanë kryer kurrë.
“I bëj thirrje opozitës të mos përdorë terrin për të kërkuar transparencë, të lerë retorikën e akuzave monstruoze ndaj 20 mijë komisionerëve të saj. Nuk ka gjë më të rëndë sesa të shndërrohet në një gjyq publik për ata 20 mijë komisionerët socialistë, të cilët përmbushën me ndërgjegje, përgjegjësi ligjor, detyrën e tyre, para programit të partisë së tyre, kushtetues dhe ligjeve të vendit. Nëse këtë parlament doni ta shndërroni në gjyq publik dhe të flisnin për krime elektorale, se sepse ata firmosën dokumentet e një procesi më historik të vendit, do na ktheni në avokatë të tyre. Po shkelet mbi 20 mijë herë neni 7-të i kësaj Kushtetute. Nenin e prezumimit të pafajësisë. Nëse merrni përsipër të flisni këtu për krim elektoral, ju po bëheni persekutorët më të mëdhenj. Nuk është në interes të kësaj seance të lëshojmë shashka të tilla, të përdorim këtu lopë dhe dele, apo edhe jashtëqitjet e tyre për të nxirë komisionerët e PS, vetëm e vetëm se ai që i udhëhoqi nuk i fitoi dot zgjedhjet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë shtoi se “kemi ardhur këtu me vullnetin më të mirë, për t’i dhënë një përgjigje legjitime, Kushtetuese, kërkesës së opozitës për transparencë”. Berisha tha se socialistët gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë nuk kanë mundur të depozitojnë qoftë edhe një fakt të vetëm për kërkesat e ngritura prej tyre.
“Ne kemi ardhur këtu për të dialoguar me ju, por nëse ju vërsuleni me krim elektoral e me kriminelë zgjedhorë, bëni një gabim shumë të madh, sepse faktet janë fakte, janë të regjistruara, sepse nuk bëni këtu gjykimin, nuk bëni ndjekjen penale për vetëm 20 mijë të pafajshmit, për të cilët nuk jeni në gjendje të paraqisni as edhe një dokument të vetëm. Ju keni paraqitur këtu karta bixhozi të falsifikuar te Tajvani juaj, ku rrini gjithë kohën.
Nuk keni depozituar as edhe një dokument për ndonjë komisioner që ka shkelur ligjin. Ju po i sulmoni për vepra të pamoralshme, për vepra që ata nuk i kanë kryer.
Në këto zgjedhje janë vëzhguar nga 510 vëzhgues nga mbarë evropa dhe bota, kongresmenë, parlamentarë, ambasadorë, etj, etj. Kanë konkluduar rregullsisë më të madhe. Kur thotë gjykatësi ndërkombëtarë, të gjithë të tjetër binden. Ka fol gjykatësi ndërkombëtarë, ka deklaruar se komisionerët tuaj, kanë qenë gardianë të votës dhe se nuk ka pasur asnjë provë për manipulim. Si mund të akuzoni ata që ju kanë ndenjur 24 orë nën shërbim? Si mund të bëheni parti e Ruzhdies? Por nuk bëheni kurrë, sepse Ruzhdija ka qenë gjithmonë e djathtë. Aty, parti kryesore është Partia Demokratike? Jeni aq të moralshëm sa të besoni gënjeshtrat që sajoni vetë...? Unë nuk mund të akuzoj kurrë komisionerët tuaj, për kriminelë. Si mund të akuzoni komisionerët tuaj, për kriminelë? Mos na detyroni të bëhemi avokatë të tyre... Ata kanë partinë e tyre dhe vetëm partia e tyre mund t’i ndihmojë dhe t’i mbrojë. Megjithatë, mos të hapemi në mënyrë të tillë. Ja ku jemi! Të gjejmë një ujdi të përbashkët. Mos mendoni ju se duke recituar në këtë mënyrë, mbroni atë që ka humbur zgjedhjet, jo, përkundrazi, ja nxini edhe më shumë humbjen. Ejani zotërinj, ngremë komisionin. Doni shumicën në komision? Këtë që ka bërë kjo mazhorancë s’e ka bërë askush, që t’i japë pakicës shumicën në komision.
Të kthehemi bashkë në 2001-shi, në 2005-ën kemi votuar së bashku kundër hapjes së kutive dhe në një kohë kur ne kemi pasur fakte. Edhe në 2001-shin ne kishim fakte për manipulimin e votave, por nuk e bëmë padinë për hapjen e kutive”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit garantoi edhe njëherë gatishmërinë e mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor, në përputhje me ligjet në fuqi dhe kushtetutën e vendit.
“Jemi të gatshëm të ngremë komisionin dhe në respekt të plotë me ligjin dhe kushtetutën, të hetohen zgjedhjet. Nëse jeni të gatshëm për të akuzuar për kriminelë 20 mijë komisionerë burra dhe gra socialistë, keni kurajë për komisionin hetimor. Ky shtet i ka të gjitha instrumentet për hetimin e plotë të zgjedhjeve, por ju nuk keni as edhe një fakt të vetëm...Merrini të gjithë amendamentet për të adresuar aty të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ne do t’i votojmë të gjitha, sepse ato janë të gjitha, nga e para tek e fundit, një projekt i shumicës. Oferta jonë është e sinqertë dhe bazohet në dëshirën e madhe që ju të zini vendet tuaja në parlament dhe t’u përgjigjeni zgjedhësve tuaj.
Edhe njëherë ju premtoj deputetëve të opozitës, vullnetin e plotë për një komision hetimor parlamentar, ku opozita në çdo votim të tij, të jetë shumicë, vullnetin e plotë për të ndryshuar ligjin e nevojshëm, por gjithmonë duke respektuar kushtetutën. Pasi në të kundërt nuk mund të rrezikojmë themelet e kësaj demokracie, u shpreh më tej, kreu i qeverisë Sali Berisha”.
Transparenca e zgjedhjeve, sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, jo hapje të kutive
Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, i bën të qartë opozitës së Edvin Ramës se transparenca e zgjedhjeve do të bëhet vetëm në bazë të ligjeve në fuqi dhe kushtetutës së vendit. Në një replikë ndaj kreut të PBDNJ-së aleatit të socialistëve në zgjedhjet e përgjithshme, Vangjel Dules, kryeministri Berisha përmendi vendimet e Gjykatës Kushtetuese të viteve më parë, duke marrë si analogji komisionin hetimor të ngritur për hetimin e veprimtarisë së kryebashkiakut Edi Rama në vitin 2003, të cilin Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë, duke arsyetuar se ka një pushtet legjitim për ta kryer atë proces, siç është parlamenti i njësive vendore. Në këtë kuadër, shefi i qeverisë vlerëson se parlamenti nuk ka tagër për hetimin e vendimeve të gjykatave.
“Mazhoranca është e vendosur për një transparencë të plotë në çdo qelizë, në cdo akt, në cdo proces të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë nuk ka as edhe një mëdyshje. Sikundër mbetemi të vendosur në mënyrën më të absolute për një transparencë totale dhe respekt të plotë të kushtetutës e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e pushtetit vendor. Nëse mendojmë se ky parlament mund të marrë të gjitha atributet, të gjitha pushtetet, kjo do të ishte vërtet një ‘hata’ e madhe për këtë vend. Ajo që është e çuditshme, në një kohë kur unë ofroj rrugën e transparencës, ju në tërësi nuk e dëshironi atë. Unë konstatoj se është përdorur transparenca vetëm e vetëm si një motiv për të arritur një qëllim tjetër, i cili nuk ka të bëjë me këtë mazhorancë. Në krizë është partia që konteston zgjedhjet dhe bojkoton parlamentin. Nuk ka sot shqiptar dhe qytetar të lirë në Europë dhe në botë që nuk njeh këtë fakt. Në krizë është PS, e cila tani sfidon kushtetutën e vendit, kërkon me çdo kusht të dhunohet Kushtetuta, parimi i ndarjes së pushteteve. Kërkon me çdo kusht që të dhunohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur në këtë moment, kreu i qeverisë solli në vëmendje se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është sjellë nga mazhoranca e vitit 2003, e cila u konsiderua si një arritje, por, u mendua se me këtë ligj parlamentarët kapin pushtetet. Në këtë drejtim, Berisha shtoi se “Gjykata Kushtetuese lëshoi një seri vendimesh, në të cilin bllokoi komisionin hetimor për Edi Ramën”.
“I tha kësaj mazhorance se nuk mund ta hetosh atë, ndonëse i kishte dhënë autorizim para disa vitesh dhe ishte paraqitur në parlament. Pas 4-5 vitesh, Gjykata Kushtetuese, i thotë parlamentit se nuk mund ta hetosh. Këtë nuk e tha në gjykimin e parë, por në gjykimin e dytë. A është ky kufizim një ‘damkë’ për parlamentin? Po, është! Por, gjykata nuk e ka nxjerrë hetimin jashtë! Edi Ramën e heton parlamenti i bashkisë”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë, duke iu referuar kërkesave të opozitës, përsëri se mazhoranca është e detyruar të respektojë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“ Të deklarosh, duke mos pasur asnjë fakt, se më japë korruptuar komisionerët, nuk është krim, sepse nuk ke asnjë provë, në këtë mënyrë mund të akuzosh çdo shqiptar, vetëm e vetëm se t’i ke imunitet. Më nxirrni një komisioner të dëshmojë se kush e ka korruptuar, kush i ka dhënë para. është një krim dhe mëkat, vetëm e vetëm se nuk janë këtu dhe akuzohen si qenie çnjerëzore, duke pretenduar se mund të bëheni gjykatësish dhe prokurorët e tyre. Transparencën mund të bëjmë vetëm nëpërmjet kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, mbylli reagimin e tij, kryeministri Sali Berisha.
Kontestimi i zgjedhjeve, opozita po nxin procesin më të mirë në histori
Kryeministri Sali Berisha konsideron qëndrimin e opozitës ndaj procesit të zgjedhjeve parlamentare, si një përpjekje idilike të kryesocialistit në detyrë dhe ndjekësve të tij, për të nxirë procesin më të mirë që është zhvilluar ndonjëherë.
Lidhur me këtë fakt, kreu i qeverisë solli në vëmendje të deputetëve socialistë, të pranishëm në Kuvend, risitë e zgjedhjeve të kaluara, duke nisur nga neni i transparencës, neni 116 në Kodin Zgjedhor, fotografimi i votës, skanimi dhe raportimi on-line në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Neni 116 është neni i transparencës më ekstreme. Ishte e drejta e kundërshtisë për të rinumëruar disa herë, aq sa mund të kishte dyshime nga ana e komisionerëve mbi fletët e votimit. Prandaj edhe janë firmosur procesverbalet nga të gjithë komisionerët, të majtë dhe të djathtë. Mjaftonte të ngrihej dora nga një komisioner. Vota u fotografua, u skanua dhe u transmetua në kohë reale në të gjitha qendrat e KQZ-së. Të akuzosh një proces tërësisht transparent, si të manipuluar, është njësoj si ta lyesh me bojë të zezë. Ne e kuptojmë shumë mirë kompleksin e Edi Ramës, kompleksin e Edipit. Ai duhet ta zgjidhë vetë këtë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.
...