“Edi Rama po ushtron presion ndaj trupës së Kolegjit, skenar për diskreditimin e procesit zgjedhor”

Denoncon PD
Këshilltarja demokrate në këshillin bashkiak të Tiranës Jorida Tabaku tha dje se Edi Rama po përdor çdo mjet përmes kërcënimeve që të cenojë institucionet ligjore dhe ato të drejtësisë në vend.
Reagimi i përfaqësueses demokrate në këshillin bashkiak, vjen pas deklaratave të Ramës në mbledhjen e djeshme të Asamblesë, ku ai u shpreh se s’do pranojë asnjë lloj verdikti të Kolegjit Zgjedhor të Apelit, nëse rezultati s’do jetë në favor të tij dhe kërkesës së Partisë Socialiste. “
Edi Rama është një humbës në zgjedhjet e Tiranës, por nuk e pranon atë, ndaj sulmon Kolegjin Zgjedhor”, tha Tabaku, duke iu referuar gjuhës së përdorur nga kryesocialisti Edi Rama për rezultatin e Tiranës.
Sipas saj, skenari i Edi Ramës për të diskredituar zgjedhjet në vend, nuk ndalet. Më tej ajo shtoi se Rama është i vendosur për të ndjekur këtë rrugë dhe gjuhën e kërcënimeve vetëm sepse ka humbur garën në të gjithë Shqipërinë.
“Perdja ka rënë tashmë sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre, 1 milion e 600 mijë shqiptarë e shprehën vullnetin e tyre përmes votës. Ndërsa edhe ndërkombëtarët e dhanë mesazhin e tyre për tu respektuar vendimi i drejtësisë si dhe kanë theksuar se duhet të pritet rezultati”, u shpreh Tabaku.
Ndër të tjera ajo shtoi se kreu i selisë rozë nga njëra anë thotë se do të bojkotojë bojkotin 2 vjeçar dhe nga ana tjetër vijon me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimeve kundër Kolegjit Zgjedhor.
Tabaku theksoi se, Rama sulmoi haptazi Kolegjin e parë zgjedhor dhe pranoi vetëm përgjysmë vendimin e tij, duke vijuar kërcënimin se nuk do të njohë asnjë rezultat të Kolegjit Zgjedhor që nuk e shpall atë fitues. Pavarësisht se Rama ka shkuar shumë larg, siç tha Tabaku, ai duhet të pranojë zgjedhjen që kanë bërë qytetarët dhe vendimet e dhëna nga drejtësia, duke theksuar sërish vendosmërinë e Partisë Demokratike për të pranuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin e dhënë nga drejtësia.