“PS ktheu mamuthin e korrupsionit, modelin e korrupsionit dhe babëzisë”
Anastas Angjeli në krye të grupit të punës për hartimin e programin e ri politik të PS, reagon deputetja e PD-së, Mesila Doda
Partia Demokratike deklaron se rikthimi i Anastas Angjelit në krye të grupit të punës që do hartojë programin e ri politik të Partisë Socialiste, është një tjetër përpjekje e Edi Ramës dhe shpurës së tij, për t’i ofruar shqiptarëve modelin e korrupsionit dhe babëzisë; modelin e frenimit të rritjes së rrogave dhe pensioneve dhe mos zhvillimit ekonomik të vendit.
Kësisoj, deputetja demokrate Mesila Doda tha se PS bëri hapa pas, duke rënë pre e mamuthit të korrupsionit.
“Të kthesh mamuthin e korrupsionit, Anastas Angjeli, për të ndërtuar programin politik dhe modelin ekonomik të Partisë Socialiste, do të thotë të ofrosh për shqiptarët modelin legal të sistemit të korrupsionit si model zhvillimi, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të rikthesh Angjelin dhe modelin e tij ekonomik, do të thotë t’u ofrosh shqiptarëve të shkuarën për të ardhmen, do të thotë të ofrosh babëzinë për moral, do të thotë të afrosh dështimin për sukses. Shqiptarët kanë patur mundësi të shikojnë për 8 vite resht menaxhimin ekonomik të ish ministrit Angjeli. Modeli ekonomik i Partisë Socialiste nën drejtimin e Anastas Angjelit do të bëjë që buxheti të gllabërohet nga ata që duan ta menaxhojnë atë, nga grupi i ri i punës i ngritur nga PS, model i cili kujton vitet më të mbrapshta të Shqipërisë”, u shpreh deputetja demokrate, Mesila Doda.