Mazhoranca, fitore të dyfishtë në Tiranë, mori Këshillin bashkiak pas 10 vitesh

Partia Demokratike dhe koalicioni i saj “Aleanca për Qytetarin” shënuan një fitore të dyfishtë në bashkinë e Tiranë duke fituar edhe këshillin bashkiak, pas kryetarit i cili do t’i takojë mazhorancës dhe pikërisht kandidatit të saj, Lulzim Basha. Rezultatet e 8 majit i japin koalicionit “Aleanca për Qytetarin” 28 mandate në Këshillin Bashkiak në kryeqytet, ndërsa koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” 27 mandate.
Në konstituimin e këshillit të bashkisë më të madhe të vendit, socialistët kanë siguruar të vetëm 25 këshilltarë dhe 2 këshilltarë janë të aleatëve të tyre, PDS dhe PSV91. Partia Demokratike ka siguruar 19 këshilltarë, LSI ka fituar 5 mandate në Këshillin e Tiranës, PDIU 2 mandate ndërsa aleatët republikanë dhe Lëvizja e Legalitetit nga një mandat.
Hartuesi i kodit elektoral, deputeti socialist, Kastriot Islami sqaron se detajet teknike për ndarjen e mandateve midis koalicioneve sipas formulës “De Hontis” dhe për shpërndarjen e mandateve brenda koalicioneve sipas formulës së “Sen Legerit”.
“Meqenëse sistemi ka dy nivele, atë të subjektit zgjedhor dhe atë të partisë politike, atëherë në rastin konkret ka dy nivele për të shpërndarë mandatet në varësi të votave që janë marrë. Konkretisht për nivelin e parë, për shpërndarjen e mandateve sipas subjektit zgjedhor është përdorur formula ‘Do Hontis’, ndërsa për nivelin e dytë kalohet tek formula e ‘Sen Legerit’, pra, në nivelin e dytë partitë vendosen prapë në krahun e majtë dhe nuk pjesëtohen me serinë e numrave natyralë, 1, 2, 3, 4 por me serinë e numrave tek, pra, 1, 3, 5, 7 e kështu me radhë. Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo formulë favorizon partitë e vogla, ndërkohë që formula e parë favorizon partitë e mëdha”, thotë Islami.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e cila ka siguruar më shumë vota në këshillin bashkiak të Tiranës sesa PLL, PDS dhe PSV91, nuk ka mundur dot të fitojë një mandat për shkak se nuk ka qenë pjesë e koalicioneve në zgjedhjet e 8 majit.