“Gjykim të plotë për video-skandalin e Dritan Priftit”
Ilir Meta kërkesë Gjykatës së Lartë për t’u tërhequr nga kërkesa për ndërprerjen e hetimit për shkak të shkeljes së procedurave
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i është drejtuar sot me anë të një memo/kërkese Gjykatës së Lartë ku i kërkon që të gjykohet në lidhje me përgjimin e bërë nga Dritan Prifti, duke u shprehur se heq dorë nga pushimi i dosjes për shkaqe procedurale. Meta thotë se heq dorë nga deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet. Sipas memo/kërkesës, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkon gjykim të plotë lidhur me “video-skandalin” e Dritan Priftit.
MEMO/KËRKESË
Drejtuar: Gjykatës së Lartë, Tiranë.
Kërkuesi: ILIR META, përfaqësuar me prokurë të posaçme nga Av.Petrit SERJANI, me nr. Lic. 99, Anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe Av. Gëzim VELESHNJA, me nr. Lic. 417,Anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë.
Baza Ligjore : Neni 110 I K. Pr. Penale.
Të nderuar Zotërinj Gjyqtarë të Lartë !
Në cilësinë e mbrojtësit me prokurë të shtetasit ILIR META, në procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij pranë Gjykatës së Lartë, mbështetur ligjërisht në sa disiplinohet nga neni 110 i K.Pr.Penale “Mbi memot apo kërkesat e palëve në çdo gjendje dhe shkalle të procedimit” parashtrojmë në vijim, këtë MEMO tonën, që konsiston në “Heqjen Dorë” nga njëra prej kërkesave paraprake të lexuara dhe të dorëzuara me shkrim në seancën e parë gjyqësore të datës 20.06.2011.
Në tërësinë e kërkesave paraprake kemi ngritur disa probleme që në interpretimin tonë të ligjeve procedurale do duhej të produktonin pavlefshmëri të veprimeve hetimore të organit procedues.
Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit ILIR META si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga:
Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet. (Nga faqja një deri në fund të faqes pesë të materialit të dorëzuar me shkrim).
Me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht.
Gjithsesi, vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërinë hetimore të organit të prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij.
Për sa i takon kërkesave të tjera paraprake që lidhen me :
1. Aktet e ekspertimit,
2. Dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin,
3. Provat materiale të marra në të njëjtën formë,
ripohojmë se u qëndrojmë dhe mbi pranimin e tyre, presim me besim vendimin Tuaj të datës 11.06.2011.
Duke shpresuar në marrjen në konsideratë të kësaj memoje, gjejmë rastin të shprehim respektin tonë më të lartë,
Avokatët : Kërkuesi:
Petrit SERJANI ILIR META
Gëzim VELESHNJA