Asnjë mundësi për ripërsëritjen e zgjedhjeve - rivotimin nuk e beson as vetë Edi Rama
Reagimet e ekspertëve, dy ditë para verdiktit të Kolegjit Zgjedhor
Ndonëse Partia Socialiste ndodhet prej javësh të tëra në polemika të brendshme për pranimin ose jo të humbjes së zgjedhjeve dhe bashkisë së Tiranës më 8 maj, ekspertët ligjorë thotë se Kolegji Zgjedhor i Apelit nuk ka asnjë mundësi për të vendosur ri-përsëritjen e zgjedhjeve në kryeqytet.
Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, logjika ligjore e tejkalimit të afateve për të pretenduar pavlefshmëri, e bën edhe Ramën që, realisht të mos e besojë se Tirana do t’i nënshtrohet sërish një votimi për kryetar bashkie. Alibeaj përjashton çdo mundësi ligjore që mund të çonte Tiranën në rivotim. Që kjo të ndodhte, duhej të Kolegji të shpallte pavlefshmërinë e 8 majit në këtë bashki, por leximi i ligjit, i nenit 162 sipas Alibeajt, e përjashton një mundësi të tillë.
“Kushti i parë, duhet të ekzistojnë cenime ligjore. Kushti i dytë, është që të ketë ndodhur fatkeqësi natyrore. Dhe i treti që të ketë ndodhur ndërprerje e procesit zgjedhor në njësitë përkatëse për të cilat kërkohet rivotimi apo pavlefshmëria. Që të ketë pasur cenim ligjor, nuk është argumentuar një gjë e tillë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve. E shoh juridikisht, emocionalisht ftohtë, që nuk ekziston asnjë lloj mundësie teorike për të çuar bashkinë e Tiranës si njësi zgjedhore, në rivotim”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, opsionin për rivotim nuk e beson as vetë kreu i Partisë Socialiste. Deputeti demokrat e lidh këtë me qëndrimin e Edi Ramës ndaj procesit, atëherë kur rezultati paraprak e tregonte fitues me 10 vota.
“Edi Rama, apo edhe të tjerë rreth tij, kanë kërkuar atë që quhet ‘rezultatin e tyre i famshëm prej 10 votash...’. Që do të thotë se ata ishin në rregull në një moment të parë, për përmbushjen e standardeve zgjedhore të procesit të 8 majit, proces zgjedhor që ka prodhuar këtë rezultat. Ndërsa në momentin e dytë, kërkohet pavlefshmëri e zgjedhjeve. Dhe ne duhet të zgjedhim përfundimisht dhe në fakt duhet ta kishin zgjedhur kohë më parë nëse do të kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve, pra rivotimin, apo do të ndiqnin, siç edhe ndoqën realisht, çështjen e atakimit të rezultatit zgjedhor”, thotë Alibeaj. Logjikës ligjore Alibeaj i shton edhe faktin ligjor të tejkalimit të afatit, për të kërkuar pavlefshmëri.
“Këtë ndarje të madhe duhet ta kishin bërë procedurialisht, meqë jemi duke folur për procedurë, deri në momentin e datës 27 maj, e fundja e fundit moment kohor tek të cilat një palë mund të bëjë ndarjen e madhe, të atakojë procesin për pavlefshmëri, apo të atakojë rezultatin e zgjedhjeve”, deklaroi Alibeaj.
Kauzën e pavlefshmërisë selia rozë nuk mund ta përfitojë as me mosrakordancën e shifrave. Alibeaj ndalet te pretendimi i socialistëve se janë hedhur vota në kuti, pas procesit të votimit.
“Nëse do të pranonim edhe njëherë që këto fletë votimi të jenë hedhur më vonë, i vetmi moment kur mund të ndodhë kjo është procesi i numërimit nga grupet e numërimit. Por këtu ka një problem: Grupet e numërimit a nuk kanë qenë të përbëra nga anëtar të Partisë Socialiste dhe nga anëtarë të Partisë Demokratike, në barazi të plotë numerike? Për më tepër, a nuk ka qenë i vëzhguar rreptësisht numërimi? Çfarë do lloj aludimi për manipulim, sipas pretendimeve të Edi Ramës do të duhet të ketë ndodhur para datës 23 maj”, tha Alibeaj.
Për deputetin demokrat kryetari i Partisë Socialiste me gjithë qëndrimin e tij, ku dëshmon se kërkon të bëjë pis procesin, nga i cili për shkak të qytetarëve doli humbës. Këtu Alibeaj akuzon kreun e selisë rozë për qasje negative dhe kërcënuese ndaj institucioneve. “Të vazhdosh të kërcënosh, shtantazhosh institucionet e pavarura, sistemin gjyqësor, nuk është gjë tjetër, veçse një qasje më negative për mos respektim ndaj ligjit, ndaj institucioneve dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar. Kjo është humbja që është duke konsumuar aktualisht z.Rama edhe në daljen e tij të djeshme (gjatë punimeve të Asamblesë)”, vuri në dukje Alibeaj.
Logjikën e tij ligjore deputeti demokrat e përfundon duke i kërkuar kryetarit të Partisë Socialiste që të pranojë verdiktin përfundimtar të Kolegjit, sido që ai të jetë.