Mamuthi i korrupsionit/Anastas Angjeli, nga koordinator i fushatës së Edvinit, në hartues të platformës politiko-ekonomike

Lëvizjet tinëzare dhe fshehja pas skrofullës së korrupsionit dhe kontrabandës që sundoi për vite me radhë Shqipërinë, vazhdojnë të jenë ende një kërcënim serioz për rikthimin e sistemit të kleptokracisë dhe kusarisë socialiste. Ish deputeti socialist Anastas Angjeli s’e fiton dot profilin e një reformatori dhe ideatori alternativash politike, për sa kohë konfirmohet si nostalgjik i sistemit të kusarisë 8 vjeçare socialiste, nën menaxhimin e disa kryeministrave të epokës “Nano”.
Anastas Angjeli me gjithë aksionin tij ekstra politik gjatë këtyre viteve, s’mund të fshehë kurrsesi anën e tij të errët që e ka karakterizuar për vite me radhë si ministër i kleptokracisë socialiste. Distancimi i tij disa vjeçar nga sfera politike dhe veçanërisht nga Partia Socialiste, krijoi përshtypjen reale se do t’i përkojë një lloji unifikues të të larguarve apo zhgënjyerve nga platforma fodulle e Edi Ramës dhe e ndjekësve të tij. Por Anastas Angjeli, është përkrah Edi Ramës; fillimisht luajti rolin e koordinatorit të fushatës elektorale për bashkinë e Tiranës dhe pas dështimit në kryeqytet, po bëhet gati të hartojë platformën politiko/ekonomike të PS, në vijim të reformimit të saj deri në mbajtjen e Kongresin socialist të 5 nëntorit.
Në fakt, lidhjet politike të Angjelit me sistemin e pushtetit, janë tepër të hershme, e deri te regjimi i hajdutërisë socialiste 8 vjeçare, sistemi kleptokratik që i dha Shqipërisë shuplakën më të rëndë ekonomike, sociale dhe integruese.
Historia e Angjelit është vërtetë e lavdishme; disa herë deputet i Kuvendit, por karrierën e tij optimale të kleptokracisë dhe kusarisë (e cila këtë herë vjen sipas platformës së nekropolitikanit Edi Rama), ka qenë, gjatë mbajtjes së postit si ministër i Financave. Korri sukses të madh aq sa koleksiononte vilat, apartamentet dhe autoveturat luksoze, ndërsa qytetarët, pensionistët dhe ata që jetonin me ndihmë ekonomike, vuanin për bukën e gojës. Me paga mesatare 120 mijë lekë në muaj, me pension minimal dhe maksimal 30-40 mijë lekë të vjetra në muaj dhe me ndihmë ekonomike qesharake as 10 mijë lekë të vjetra në muaj. Por, mamuthi bënte jetë luksi dhe s’shqetësohej aspak për përpjekjet mbijetesëse të pensionistëve dhe të papunëve që rronin me pikëpyetje dhe s’dinin nëse do kapnin të nesërmen. Ja pse Anastas Angjeli mbetet një nga mamuthët e korrupsionit dhe për as më shumë e as më pak, flet vetë historia.
Akuzat ndaj tij, të opozitës së asaj kohe, s’ishin thjesht politike, por akuza realiste dhe të pakundërshtueshme nga i korruptuari i sotëm i Edi Ramës që po dirigjon instalimin e mamuthërisë në ngrehinën socialistë. Ashtu siç gjatë ushtrimit të funksionit të tij vërshonin akuzat për korrupsion dhe ryshfet, dhe sot e kësaj dite, mbi Angjelin, rëndojnë po të njëjtat akuza, shto këtu edhe atë të “besë prerjes” politike, pas distancimit disa vjeçar.
Kësisoj, Anastas Angjeli, jo vetëm vodhi dhe asgjësoi paratë e taksapaguesve shqiptarë për disa vite me radhë gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Financave, falë favorizimeve pushtetare dhe posteve të panumërta nën kleptokracinë 8 vjeçare, këtë herë korrupsionin do ta orientojë në një formë tjetër, duke koordinuar pikëpamjen politike dhe ekonomike të njeriut që deri dje drejtoi bashkinë me të korruptuar në planet.