Edi Rama refuzon bashkëpunimin, rrezikon të fusë bashkinë në krizë e të lerë Tiranën pa projekt investimesh

LSI nuk tërhiqet nga vota kundër. Projektbuxheti pritet të refuzohet nesër nga Këshilli Bashkiak
TIRANE - Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës pritet që të rrëzohet sërish nesër ashtu si në votimin e 3 javë më parë në Këshillin Bashkiak. Kjo për shkak se, krahas PD-ës, edhe LSI-ja, ka konfirmuar sërish dje se do të votojë kundër planit financiar të paraqitur nga kryebashkiaku Edi Rama. Duke hedhur poshtë krahasimet që sillen nga PS në rastin e Bashkisë së Lushnjës, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha se kreu i Bashkisë së Tiranës demonstron arrogancë dhe mospërfillje ndaj çdo lloj kërkese legjitime për rishikimin e disa pikave të këtij projektbuxheti apo bërjen transparente të mënyrës sesi janë shpenzuar fondet për vitin 2008. “Mendoj se janë gjera krejtësisht pa lidhje. Problemi është shume i thjeshtë. LSI dhe drejtuesit e saj në bashki e komuna ka qenë gjithmonë të gatshëm të bashkëpunojnë me këshilltarët, të reflektojnë për shqetësimet e tyre dhe kjo solli edhe votimin e këtyre buxheteve edhe në Lushnjë, ku kryetari atje ka komunikuar normalisht, duke bashkëpunuar me këshilltarët dhe ka pasur një votim pa probleme. Problemi qëndron te kryetari Bashkisë së Tiranes që refuzon të komunikoje me këshilltarët e Bashkisë, refuzon të bëjë transparencën dhe të sqarojë se ku do të përdoren dhe si 19 milionë dollarë investime që janë më të mëdha se të gjitha investimet që marrin dhjetëra bashki të marra së bashku. Ne i kemi kërkuar t’i sqarojë këshilltarët dhe qytetarët se çka ndodhur me paratë e vitit 2008 por kryetari i Bashkisë refuzon kategorikisht të reflektojë duke shkelur haptas ligjin dhe detyrimet e tij në raport me këshillin bashkiak. Ai mendon se këshilli bashkiak është një strukture e PS-së dhe ku Rama me arrogancë e nëpërkëmb dhe bën ç’të dojë. Këshilltaret e LSI kanë votuar kundër modelit të bunker-bashkisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës që refuzon të bashkëpunojë dhe të bëjë transparencën e parave duke përbuzur mundin djersen dhe sakrificat e panumërta të qytetarëve që paguajnë taksat dhe në këtë mënyrë këshilltarët e LSI nuk mund të lejojnë që këto miliarda lekë të shpërdorohen me arrogancë, pa transparencë dhe në mënyrë korruptive”, deklaroi Vasili.
Vlera totale e projektbuxhetit të hartuar nga Bashkia e kap shifrën e 7,6 miliardë lekëve. Edhe demokratët përmes këshilltarit Ferdinand Poni apo zëdhënësit të Partisë Demokratike Gerti Bogdani, kanë denoncuar mungesën e transparencën dhe diskriminimin politik ndaj minibashkive të drejtuara nga kundërshtarët polikë të kryebashkiakut Rama që sipas tyre qëndron në bazën e këtij projektbuxheti.
Pavarësisht kritikave të përsëritura Rama paraqet nesër të njëjtin variant të projektbuxhetit që pritet të refuzohet sërish nga shumica dërrmuese e këshilltarëve.