E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton sot Autoritetin e Kontrollit të Figurave

Dosjet

TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë pritet që të miratojë sot ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave të zyrtarëve të lartë duke shënuar kështu hapin e parë në praktikë të ligjit për hapjen e dosjeve të komunizmit. Për shkak të qëndrimeve politike dhe ankimimit së fundmi në Gjykatën Kushtetuese, opozita e majtë pritet që të bojkotojë këtë komision megjithatë nisur edhe nga ligji që ka hyrë në fuqi prej disa ditësh kjo nuk duket të përbëjë ndonjë problem të madh. Vendet vakante nga bojkoti i pritshëm i së majtës në këtë proces do të plotësohen nga përfaqësues të shoqatave të ish të përndjekurve politike dhe shoqërisë civile. Autoriteti i Kontrollit të Figurave, ka në përbërje të tij 5 anëtarë të cilët propozohen 2 nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe kryetari me konsensus por ligji parashikon dhe rastet kur vendet e mbeten vakant për mungesë propozimesh, Kuvendi emëron anëtarët përkatës me propozime të ardhura nga shoqëria civile si dhe ish-shoqatat e të përndjekurve politikë. 
Procesi i verifikimit përfshin të gjithë subjektet nga Presidenti i Republikës deri te çdo person i dekretuar nga Presidenti i Republikës apo i zgjedhur nga Kuvendi përfshirë këtu anëtarët e KLD-së, si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve.
Në kuadër të transparencës me publikun, autoriteti krijon një regjistër elektronik me
të gjitha rastet e verifikuara, informacion që përditësohet çdo javë. Veprimtaria e autoritetit parashikohet të zgjasë deri në 31 dhjetor të 2014-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›