E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu nuk është përfaqësues i pronarëve, por mashtrues

Nga Rrapo Hajredin Danushi, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

Sqarim publik i përsëritur për Fatmir Mediun

Me afrimin e fushatës elektorale kryesia e Partisë Republikane po fton përsëri pronarët t’iu japin votën, por në ndryshim nga premtimet e fushatës së vitit 2005 dhe më parë, tani flet për kompensim të mundshëm. Vetë koha ka nxjerrë në pah se ky ekip drejtues realisht zbaton linjën antikombëtare dhe antipronar të Katovicës. Duke iu referuar deklaratave të fundit të z. Fatmir Mediu dhe Arian Madhi, të bëra publike në shtyp dhe në televizor, është e vërtetë se deri në vitin 2005, PR ka thënë zërin e shoqatës dhe formalisht e ka firmosur dhe projektligjin e hartuar nga ne, por në realitet e pengoi atë. Fatmir Mediu e di fort mirë se ku ka qenë ai dhe PR dhe se vetëm me mbështetjen e pronarëve, ai nga hiçi u kthye në parti parlamentare dhe sot, së paku duhet të kërkojnë ndjesë se nuk i mbajtën premtimet. Janë nismat e PR, të Arian Madhit etj., që mundësuan që ligjet ekzistuese pas vitit 2005 të përkeqësoheshin në dëm të pronarëve të ligjshëm. Nuk i dimë dhe nuk na interesojnë shkaqet, pse PR pas vitit 2005 zbatoi komandat antipronar për të mbajtur peng pronarët dhe për të miratuar fillimin e legalizimeve dhe të kompensimeve pa përfunduar kthimi fizik. Në deklarimin e fundit paraelektoral zoti Fatmir Mediu deklaroi se: “Partia Republikane do vazhdojë të ngrejë zërin për kompensimin e ish-pronarëve” dhe vazhdoi se “ka akoma shumë për të bërë dhe për këtë unë i them ish-pronarëve, se Partia Republikane si përherë do të jetë në krah të tyre për të përfunduar kompensimin përfundimtar të mundshëm për ta”. Ju, zoti Mediu, doni votat që të luftoni për kompensim përfundimtar të mundshëm; ju, zoti Mediu, ashtu si pseudosocialistët, thoni akoma ish-pronarët!! Jo, zotëri, nuk jemi ne shoqata, por pronarët nuk do t’iu lejojnë. Unë dhe kryesia e shoqatës së pronarëve nuk dimë të themi, nëse këtë qëndrim e keni si rezultat “i lugës së çorbës që keni gëlltitur” apo keni arsye të tjera që po e shtoni më tej mëkatin tuaj. Gjithçka ua kemi thënë në shtyp dhe për të mos përsëritur të njëjtat gjëra, ju kërkojmë: A keni mirësinë t’i jepni përgjigje kritikave publike në shkrimet e shumta kritike të botuara, nga të cilat, duke përmendur vetëm disa, ju kujtojmë shkrimin me titull “Përsëri për deputetin Arian Madhi dhe të gjithë ata që mendojnë se mund të tallen me pronarët”, që është botuar më 25 janar 2009 në gazetat “Koha jonë”, “Ndryshe”, “Sot”, “TemA” dhe më 30 janar në gazetën “Telegraf”? Shkrimin tjetër të botuar më 7.04.2009 në gazetat “TemA”, “Ndryshe”, “Sot” dhe të nesërmen në gazetën “Libertas”, ku ju kam sqaruar imtësisht për raportet e pronarëve me P. Republikane dhe pse ju kërkojmë të mos i dëmtoni dhe mashtroni më tej pronarët. Keni hezituar t’i përgjigjeni po ashtu shkrimit të botuar më 8 dhe 9 prill 2009 në gazetat “TemA”, “Sot”, “Telegraf”, “Lajm”, ku sqarohet se platformës suaj antipronar shpejt do t’i vijë fundi dhe duhet të kuptoni se ato që janë arritur dhe do të arrihen nga pronarët, nuk janë merita juaj. Roli dhe kontributi juaj ka qenë për t’i zgjatur jetën babëzisë së politikanëve dhe korrupsionit pushtetar me pronat tona. Shkrime që tregojnë se cilët jeni ju që drejtoni P. R. ka shumë, por nuk mund të lë pa ju përmendur artikullin e pronarit nga Shkodra dhe anëtarit të kryesisë së shoqatës sonë, zotit Njazi Muka, i botuar më 26.04.2009 në gazetat “Ndryshe” dhe “Metropol”. Sa për gazetën “Republika”, e cila nuk bënte asnjë lloj censure para vitit 2005 dhe botonte të gjitha shkrimet tona, aty prej kohësh mund të gjesh shkrime me vlerë dhe interesante se si mjekohet lemza dhe majasëlli, por refuzohen të botohen shkrimet tona, ku ankohemi se vazhdon të shkelet neni 181 i Kushtetutës dhe kritikat tona se ju i jeni futur një rruge antikombëtare. Sot, për gazetën “Republika” nuk mund të pretendohet të jetë një shtyp që të mundësojë debat parimor për këto probleme themelore me rëndësi kombëtare. Megjithatë, ky është konstatim i yni dhe përgjegjësi e kryeredaktorit të kësaj gazete të pavarur që ta analizojë.

Ju, zotërinj drejtues të Partisë Republikane, nuk keni pasur kurajën t’i përgjigjeni as artikujve të shoqatës “Bregdeti”, në të cilët trajtohet korrupsioni me pronat turistike dhe janë po njëlloj si problemet tona. Në zgjedhjet e 2005, ju e kujtoni shumë mirë se si ju mbështetën në qytete dhe në fshatra pronarët e bregdetit Vlorë-Sarandë dhe mashtrimin që ata kanë pësuar. Nga gazetat që kam në dispozicion me shkrimet e “Bregdetit” ju përmend atë të datës 7 mars 2009, botuar në gazetat “Sot”, “Ndryshe”, “TemA”. Artikullin e datës 15.03.2009, të botuar në gazetën “TemA” dhe me datë 17.04.09 në gazetën “Ndryshe”, ku kryetari i saj, z. Niko Nesturi, ju fton publikisht për lënë premtimet false dhe për të vepruar konkretisht para zgjedhjeve të qershorit 2009 duke korrigjuar gabimet me trojet turistike. Po ashtu, shkrimi i datës 21.04.09 “Thirrje pronarëve bregdetas” botuar në gazetat “TemA” dhe “Ndryshe” ka mbetur pa përgjigje nga ana juaj. Mendoj se kryesia e shoqatës sonë, por dhe ajo e “Bregdetit”, me të cilën na lidhin të njëjtat halle dhe probleme ka qenë e hapur, e durueshme dhe shumë e sinqertë me ju, kryesinë e Partisë Republikane, por nuk do lejojmë që të vazhdojë mashtrimi me kompensim, që nuk mund të përfundojë as pas 1000 vjetësh. Ne ju kemi bërë të ditur publikisht në shtyp se jeni në rrugë të gabuar, se po vazhdoni të thelloni mëkatet tuaja. Këtë më mirë se gjithçka e tregon gjendja e sotme e anarkisë së titujve të pronësisë. Kontributi i Partisë Republikane janë premtimet e bukura dhe degradimi kërkesës sonë nga kthim fizik në kompensim, së cilës tani, ju, zoti Mediu, po e shtoni në “kompensim i mundshëm”. Mos vallë mendoni se pronarët ju kërkojnë lëmoshë dhe duhet të rrinë urtë e t’u falënderojnë? Gaboheni dhe në këto zgjedhje do ta pësoni. Kthimi fizik duke respektuar origjinën e pronës dhe titujt e pronësisë sipas kadastrës së para kolektivizimit komunist bën zgjidhjen përfundimtare dhe të qëndrueshme të pronës. Këtë e kanë thënë publikisht, jo vetëm ambasadori i BE, zoti Lohan, ambasadori i Britanisë Madhe, Francës, Gjermanisë etj., dhe këta nuk kanë qëllim të largojnë pronarët nga një parti dhe t’i afrojnë me një tjetër.

Ju deri sot keni kamufluar zbatimin e udhëzimeve të Katovicës, pronën e pronarëve të shtetëzuar padrejtësisht nga komunizmi e trajtuat si pronë të shtetit dhe e vutë në dispozicion të klanit që fiton pushtetin dhe me këtë mentalitet iu futët përfitimeve vetjake dhe klanore. Kompensimi është mashtrim që iu shërben politikanëve që kanë përfituar padrejtësisht nga anarkia e titujve të pronësisë dhe është një politikë e egër klanore dhe barbare kundër pronarëve të ligjshëm, është politikë që përfundon në tradhti të interesave kombëtare. Nuk jemi kundër legalizimeve, as kundër kompensimeve, por ju kemi paralajmëruar shumë herë për këtë politikë antikombëtare dhe ju në thellim të kësaj rruge të gabuar keni mbështetur legalizimet e ndërtimeve të paligjshme të personave të tretë në tokat që iu janë shtetëzuar pronarëve të ligjshëm.

Pasojat dihen dhe ju po i vuani. Po ashtu, e ardhmja e kësaj politike kuptohet, por më parë analizoni dhe jepni përgjigje, pse është kjo situatë. Pse kërkesat e ambasadorit të Britanisë Madhe, të Francës, Gjermanisë etj., për domosdoshmërinë e respektimit të titujve të pronësisë, kanë rënë në vesh të shurdhër? Pse vazhdoni të spekuloni me durimin dhe qytetarinë e pronarëve të ligjshëm? Sipas jush: A e ka fajin diktatori Enver Hoxha apo hajdutëria postkomuniste që nuk keni kthyer akoma në origjinë as pronat që janë të lira? Edhe sa kohë mendoni se mund ta gënjeni elektoratin dhe ndërkombëtarët. A kanë të drejtë pronarët të kërkojnë që zërin e tyre dhe programin e tyre në parlament ta thonë me përfaqësuesit e zgjedhur nga vetë shoqata e pronarëve? A mendoni se keni moral t’u drejtoheni përsëri pronarëve dhe t’u thoni se i keni mbështetur dhe do t’i mbështesni, se pronarët do të jenë në rrugë të mbarë, nëse do votojnë Partinë Republikane?! A do të jeni të besueshëm apo do të merrni vetëm votat e kryesisë suaj, këtë do ta shikojmë. A nuk do jetë më mirë që kryesia e Partisë Republikane përpara gjithë të tjerëve të fillojë me kërkesën e faljes publike për shkeljen e nenit 181/2 të Kushtetutës dhe premtimeve të pambajtura prej 18 vjetësh? Zgjedhjet e qershorit me siguri që do të jenë të lira dhe të ndershme, nëse politikanët e babëzitur dhe zullumqarë që duan pushtet për t’u pasuruar dhe për ta shfrytëzuar mandatin e deputetit si biznes nuk do të lejohen të organizojnë trazira. Për një gjë duhet të jeni të sigurt: Vetëm e mira dhe asgjë e keqe nuk vjen nga pronarët e shpronësuar, që në këto zgjedhje do të kandidojnë me siglën e LZHK. Ata do të fitojnë duke pasur mbështetjen e të shpronësuarve, qofshin ata elektorat i majtë apo i djathtë, republikanë apo legalistë, pasi të gjithë e ndjejnë zullumin tuaj dhe presin kthimin me ligj të pronës së tyre të mohuar nga mungesa 18-vjeçare e vullneti politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›