Edi Rama refuzon të lërë bojkotin pa përjashtuar LMN

Të gjithë morën vesh se Presidenti i Republikës, Bamir Topi u takua dje pasdite me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Dita e parë nuk pati rezultate frytdhënëse, pasi ishte vetëm rishikimi i pozicioneve që kishin palët në tryezë. Ishin po ato si majtas po ashtu djathtas. Asnjë milimetër nuk është lëshuar. Natyrisht e gjithë biseda është fokusuar tek opozita. Vetë qëllimi i delegacionit të KiE në Shqipëri është përqendruar në tryezën politike të bisedimeve mes maxhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e “ngërçit” gordian që ka kapluar politikën. Mirëpo Pozita
qeverisëse ofron bashkëpunim të qartë në komisionin hetimor parlamentar, dhe që
kuptohet se do të marrë parasysh mos cenimin e vendimeve të gjykatave.
Nuk është i këtij mendimi Edi Rama, që kërkon të mos këtë kufi. Kufi ka gjithçka dhe këtë duket sikur nuk e ka kuptuar Edi Rama. Të tjerë afër tij kanë lënë të kuptohet se kërkohet të fitohet kohë për një operacion “katarsis” brenda radhëve të PS. Erion Braçe ka marrë në duar listën dhe statutin për të bindur bazën se ky operacion kirurgjikal po bëhet për të amputuar pjesën e keqe.
Sepse s’ka dyshim që një hyrje në parlament e opozitës të kryesuar nga PS, domosdoshmërisht kërkon një kurban të majmë. Ky kurban kuptohet kush është në situatën pa zgjidhje, nuk është më cenimi i kartës “së kushtetutës”, por politikani frondist Ben Blushi, i cili në bashkëpunim me shokët e tij të LMN-së ka kërkuar largimin e Edi Ramës nga kryesimi i PS.
Kuptohet vetiu se zvarritja politike për arritjen e një konsensusi midis palëve ka si llogari të mirëfillta larje hesapesh brenda bojkotuesve dhe vijës së daljes nga bojkoti. është e qartë tashmë se Edi Rama nuk kërkon një shpërblim në tryezë nga maxhoranca, por kohë për të fituar përjashtimin e disa gjembave të rafinuar në gjirin e partisë së privatizuar. Ndërkaq delegacioni i KiE mendon normalisht se lojë-sajesa e “hapjes së kutive” është bërë për parime demokratike dhe transparence nga ana e PS-së. Por e kundërta është e vërteta. Nuk duhet harruar se u nisëm nga mospranimi i humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Si vijim gjithçka u sajdis për t’i dhënë një varkë shpëtimi për fronin politik dhe ekonomik të enturazhit të kryebashkiakut Rama, njëkohësisht egokrat i soc-komunistëve, që nuk mund t’ia lejonte vetes humbjen e një qendre pushteti, pasi mbetet peng i establishmenteve të betonarmesë. Edi Rama nuk ka asnjë gatishmëri për të dalë nga pozicionet ekstreme të bojkotimit të institucioneve demokratike. Socialistët ulen në një tryezë ku nuk kërkojnë pikëtakime, por pikë-ndarje për të shtyrë më tej datën e hyrjes në parlament, përtej 25 shkurtit të përfolur nga disa deputetë socialistë të LMN për të bërë të paktën betimin në odën e demokracisë shqiptare. Shkaku se përse nuk u arrit një vendim ditën e djeshme ka lidhje kryesisht me përpjekjen për ri-forcimin e pozicioneve përpara furisë përjashtuese. Edi Rama është gati të humbë gjithçka, për të fituar një diçka nga bojkoti. Ai që mendon se racionalizmi i tij ka për të pasur sukses gabohet rëndë. Madje ai ka dhënë prova të patjetërsueshme të papërgjegjshmërisë në politikë. Duke dalë jashtë suazave të parlamentarizmit, ai po dëften dellin e tij prej sakatosësi të institucioneve që janë ngritur me djersë.
Dhe kuptohet pa kontributin e tij në politikë.