“Opozita të respektojë rekomandimet e KiE-së, të rikthehet në Kuvend”

Mazhoranca përsërit gatishmërinë për zgjidhjen bilaterale që lidhet me procesin zgjedhor
Europarlamentari Mevlut Cavusoglu inkurajon gjetjen e rrugëzgjidhjes në tryezën e partive
Përfaqësuesit e lartë të delegacionit të Këshillit të Evropës që kanë mbërritur në Tiranë, kanë nisur dje, që në orët e para të mëngjesit, takimet konsultative me krerët e lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Në këto takime, delegacioni i KiE-së, ripërsërit edhe një herë qëndrimin sipas të cilit opozita duhet të respektojë rekomandimet e KiE, të rikthehet në Kuvend, ndërsa u vu theksi edhe mbi ngritjen e mundshme të një komisioni hetimor, si një aspekt kyç i zgjidhjes së situatës.
Të dërguarit evropian takuan fillimisht Presidentin e Republikës Bamir Topi, takim ky që zgjati më shumë se 60 minuta. Më pas delegacioni i përbërë nga 10 komisionerë takoi edhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Ndërkaq, ky delegacion zhvilloi takim edhe me kryeministrin Sali Berisha. Lidhur me këtë takim, kreu i qeverisë Berisha ka bërë me dije se delegacioni është njohur me situatën dhe se është diskutuar mbi mundësitë e zgjidhjes së saj brenda kornizës ligjore. Pas takimit me kryeministrin, delegacioni i KiE-së, pati takim edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë.
Takimi me Kryeministrin Sali Berisha
Kreu i qeverisë informon detajet e takimit me të dërguarit evropianë. Kryeministri Sali Berisha informoi dje para deputetëve të Partisë Demokratike, në mbledhjen e grupit parlamentar, lidhur me takimin e zhvilluar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri e konsideroi takimin si tepër të frytshëm ndërsa theksoi se mazhoranca u shpreh e gatshme për të zgjidhur bashkë me opozitën çdo çështje bilaterale.
“Në takimin tim e falënderova shumë Këshillin e Evropës për mbështetjen e madhe që i jep Shqipërisë, për rezolutën, por edhe për delegacionin, i cili ka ardhur në frymën e rezolutës që të ndihmojë me praninë e tij dhe me mendimet e tij zhvillimet pozitive në vend. Takimi ishte i hapur, i frytshëm, dhe shpreha në këtë takim disponilitetin e plotë të koalicionit qeveritar. Diskutuam të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri”, u shpreh kryeministri Berisha, para deputetëve demokratë.
Duke iu referuar procesit të integrimit, shefi i ekzekutivit, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së finalizimin sa më të shpejt të përgjigjeve të pyetësorit të BE-së. Ai tha se javë pas jave do analizohen kapitujt deri sa të arrihet përgjigja e 2883 pyetjeve. “Javë pas jave do analizohen kapitujt derisa të arrijnë në përgjigjen e 2883 pyetjeve të ndara në 35 kapituj. Shpresoj që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e raporteve me BE dhe t’ia dorëzojmë Komisionit Evropian në një afat 15-20 javë pas përfundimit të plotësimit të pyetësorit”, deklaroi kreu i qeverisë, Berisha.
Kryeministri pohoi se numri i specialistëve të angazhuar për përgjigjet është rritur.
“Nuk janë 410, por mbi 1000 specialiste të të gjitha fushave të angazhuar në këtë proces, po ashtu edhe ekspertë të huaj të vendeve të tjera që asistojnë grupet e punës”, theksoi Berisha.
Lidhur me liberalizmin e vizave, kryeministri tha se për më shumë se 3 javë, por edhe gjatë kësaj jave një grup ekspertësh do miratojë plotësimin e kërkesave për heqjen e vizave. “Gjatë këtyre 2-3 javëve dhe këtë jave do ketë një numër të lartë të ekspertëve që do kontrollojnë të gjitha praktikat, kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave”, shtoi më tej, kryeministri Sali Berisha.
Takim me Kryeparlamentaren Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, gjatë takimit të zhvilluar me përfaqësues të lartë të delegacionit të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se mazhoranca është e gatshme që të zbatojë me përpikëri rekomandimet e rezolutës së KiE-së, për të ngritur komisionin hetimor, por vetëm në përputhje me vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese. Duke informuar të dërguarit evropianë, Topalli u shpreh se shumica parlamentare pranon çdo diskutim me pakicën, për zgjidhjen e situatës, nëse nuk shkelet verdikti i gjykatave. Në njoftimin për shtyp nga zyra e medias pranë parlamentit thuhet se gjatë bashkëbisedimit Kryetarja e Kuvendit vlerësoi miratimin e rezolutës nga KiE, rikonfirmoi vlerësimin për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, si edhe deklaratën më të fundit të bërë nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares. Sipas zonjës Topalli zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin procesi më i mirë zgjedhor në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe “çdo përpjekje që cenon këtë arritje të madhe të Shqipërisë duhet konsideruar si përpjekje kundër interesave dhe aspiratave të popullit shqiptar”.
Në këtë kuadër zonja Topalli tha se ishte e angazhuar për të garantuar si dhe për të mbrojtur Kushtetutën, parlamentarizmin dhe shtetin ligjor dhe se bojkoti i opozitës ishte dënuar dhe nga ndërkombëtarët. “Bojkoti i opozitës është një mohim i demokracisë, është një praktikë e dënueshme dhe si e tillë është konsideruar nga të gjithë dokumentet e institucioneve ndërkombëtare. Ajo informoi dhe për përpjekjet e saj institucionale për të komunikuar me çdo deputet të opozitës, duke i ftuar ata të respektojnë Kushtetutën dhe mandatin që i ka dhënë populli”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Takimi me Presidentin Bamir Topi
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut Cavusoglu, u shpreh se gjetja e një kompromisi mes palëve nëpërmjet tryezës së partive, do të ishte inkurajuese për kapërcimin e ngërçit politik. Cavusoglu vlerëson rolin e kreut të shtetit dhe të krerëve të forcave politike, Berisha e Rama, në këtë proces, sipas rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Përmes një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e Presidencës, thuhet se kreu i shtetit ka bërë një panoramë të gjendjes politike në vend, por përqendrimin kryesor kjo bisedë mes personaliteteve të larta e pati në zhvillimin e tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Lidhur me këtë, Presidenti Topi vuri në dukje dhe vlerësoi vullnetin politik të palëve për arritjen e një zgjidhjeve konstruktive që do i shërbente jo vetëm përmirësimit të klimës politike në vend, por në radhë të parë konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe të imazhit të jetës institucionale në Shqipëri, po ashtu dhe interesave madhorë të qytetarëve shqiptarë.
Kryetari i Shtetit theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij në këtë drejtim, duke përdorur të gjithë mekanizmat kushtetuese dhe institucionale për arritjen e një rezultatit pozitiv. Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu se gjatë takimeve dhe diskutimeve në kuadër të tryezës politike, palët u janë referuar në mënyrë të veçantë pikave të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KiE-së.
Më pas Presidenti Topi dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Presidencial shkëmbyen mendime dhe pikëpamje rreth mundësive të gjetjes së pikëtakimeve mes mazhorancës dhe opozitës dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik që ka mbërthyer skenën politike dhe disa institucione të vendit.