E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak shpresa për negociatat, Edi Rama refuzon edhe interpretimin e Komisionit të Venecias

Presidenca: "Negociatat vijojnë edhe nesër". Edi Rama gjithë ditën u thotë ndërkombëtarëve "JO". Refuzim i çuditshëm për të mos pranuar as interpretimin e ekspertëve dhe konstitucionalistëve të Komisionit të Venecias


Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së Edi Rama janë ulur sërish në tryezë në presidencë, për një negociatë tashmë të njëmendtë, meqë ato po ndodhin edhe me pjesëmarrjen e delegacionit të Këshillit të Europës. Kryeministri Berisha, është i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe lideri socialist Edi Rama është i shoqëruar nga kreu i Asamblesë kombëtare, Gramoz Ruçi. Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës është rikthyer në zyrën e kreut të shtetit Bamir Topi ku po diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në vend. Ky është takimi i dytë brenda ditës të delegacionit të KiE-së në presidencë por këtë herë në takim së bashku me presidentin Topi janë edhe dy liderët politikë. Ky takim vjen pas takimeve të mëparshme që delegacioni kreu me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, kryeministrin Sali Berisha, dhe së fundi me kreun e opozitës Edi Rama. Në takimin e pasdites pritet të ketë gjëra konkrete sa i takon formulës së zgjidhjes së krizës politike.


Negociatat vazhdojnë nesër - Edi Rama refuzon të ndërpresë pa kushte bojkotin


Deklarata zyrtare e presidencës/Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u takua sërish sot pasdite me Komitetin Presidencial të Asamblesë së Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Mevlut Kavushoglu. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në këtë takim mes personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës biseda u përqendrua në tryezën politike të bisedimeve mes mazhoracës dhe opozitës, të zhvilluar nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Nga ana e tyre, parlamentarët e Këshillit të Evropës të kryesuar nga Presidenti Mevlut Kavushoglu e informuan Kreun e shtetit shqiptar rreth rezultateve të takimeve të tyre të zhvilluara gjatë gjithë ditës me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Rama për të gjetur pikëtakimet e mundshme, për të afruar palët drejt një marrëveshje dhe për të zgjidhur përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare. Bisedimet dhe negociatat politike do të vazhdojnë nesër.


Refuzimi i çuditshëm për të mos pranuar as interpretimin e ekspertëve dhe konstitucionalistëve të Komisionit të Venecias


Nga burime të mirëinformuara merret vesh se Edi Rama ka refuzuar në mënyrë të prerë propozimin e negociatorëve ndërkombëtarë që bojkoti të ndërpritet menjëherë me kusht që brenda një kohe të arsyeshme, Komisioni i Venecias, një komision ekspertësh e konstitucionalistësh pranë Këshillit të Evropës të japë një vlerësim të vetin lidhur me përputhshmërinë me kushtetutën shqiptare dhe me vendimin e shumëpërmendur të Gjykatës Kushtetuese të kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Propozimi është mbështetur nga kryeministri Sali Berisha, por ka marrë refuzimin e prerë të Edi Ramës, i cili ka përsëritur se ishte aty për të deklaruar vullnetin e tij se vendimi për bojkot ishte i panegociueshëm. Ndërkombëtarët kanë deklaruar më pas se gjatë gjithë ditës kishin dëgjuar prej opozitës vetëm një “jo” të thatë dhe ndërkohë që u angazhuan për vijimin e negociatave edhe nesër, i deklaruan hapur Edi Ramës se me këtë refuzim nuk mund të shkohej larg e se fryma e dialogut s’mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›