E Diel, 1 Nëntor 2026

Të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, në fokusin e vizitës së Metës në Beograd

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, takohet me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

Vizita e pritshme e ministri të Jashtëm Ilir Meta në Serbi do të ketë në fokus të saj edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Për këtë arsye shefi i diplomacisë shqiptare Meta priti në një takim të veçantë dje, një delegacion të përfaqësuesve politik shqiptare në Preshevë i kryesuar nga deputeti Riza Halimi dhe kryetari i komunës Ragmi Mustafa.
“Ne kemi pasur një bisedë shume konstruktive dhe besojmë që duke vazhduar këtë dialog të gjithë së bashku do të arrijmë të përmirësojmë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kushtet në të cilat ata jetojnë me qëllim një integrim sa më të mirë të tyre. Me qëllim që Lugina e Preshevës të jetë një burim stabiliteti për gjithë rajonin dhe një burim mirëqenie dhe perspektive për banorët e saj, në mënyrë të veçantë për shqiptarët që janë ndeshur vazhdimisht me vështirësi të ndryshme”, tha Ilir Meta, Zëvendëskryeministër, dhe Ministër i Jashtëm.
“Ne presim edhe nga vizita që besoj do ta kemi në nivelin më të lartë dhe në Beograd po dhe të përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në Tiranë, që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të avancohen të zgjidhen problemet e ndjeshme ekonomike, socio-politike, në arsim”, u shpreh Riza Halim, deputet në parlamentin serb.
“Natyrisht kemi arritur të shpjegojmë të gjitha problemet tona që i përkasin kryesisht në sferën e arsimit, po kemi shpjeguar dhe problemet që i takojnë sferës ekonomike, natyrisht dhe problemeve që i takojnë shqiptarëve në pikëpamjen e përdorimit të lirë të simbolit kombëtar”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës.
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Preshëve shprehën bindjen se problemet e tyre do të trajtohen më së miri në turin diplomatik të ministrit të Jashtëm Ilir Meta në Beograd dhe se ata shpresojnë në një zgjidhje që i shërben përmirësimit të jetës së shqiptarëve atje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›