E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria të zbardhë krimet e komunizmit, të bëjë transparencën për ngjarjet dhe aktorët”

OKB, në mbështetje të nismës “Berisha” për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe publikimin e emrave të xhelatëve

“Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët”.
Kështu ka deklaruar raportuesi i OKB Philip Alston i cili prej disa ditësh ndodhet në një vizitë në vendin tonë.
Ai është pritur dje në takime të veçanta nga kryeministri Berisha dhe Presidenti Bamir Topi.
Raportuesi i posaçëm i OKB-së Alston e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe në veçanti për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen që i është ofruar nga të gjithë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Ndër të tjera, në takim me kryeministrin Berisha u diskutua edhe për iniciativën e qeverisë shqiptare për krijimin e institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e Task Forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të krimeve të komunizmit.
Raporteri Alston e falënderoi kryeministrin Berisha për përpjekjet e qeverisë për transparencën dhe dëminin e krimeve të komunizmit duke shprehur mbështetjen e plotë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga regjimi diktatorial.
“Shqipëria duhet të zbardhë të gjitha krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjen dhe aktorët” u shpreh Alston.
Alston vlerësoi shumë pozitivisht Shqipërinë, si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket numrit të vrasjeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara në këtë drejtim. Në këtë kuadër Alston përshëndeti dhe vlerësoi faktin që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si edhe vendosmërinë dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi edhe rastet krimeve për arsye të hakmarrjes, por edhe ndaj krimeve të tjera siç janë dhuna në familje, etj.
Kryeministri Berisha e falënderoi raporterin Alston për vlerësimet e tij dhe siguroi se lufta me zero tolerancë kundër krimit është dhe mbetet përparësi themelore e punës së qeverisë shqiptare dhe se e tillë kjo luftë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si ndaj krimit të organizuar ashtu edhe atij ordiner. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i bëri të ditur Alston se si pasojë e kësaj lufte të vendosur, treguesit e indeksit të krimit në Shqipëri janë më të ultat se mesatarja e vendeve të BE-së. Gjithashtu Kryeministri Berisha e njohu Alston me masat e rëndësishme te marra nga qeveria shqiptare, si ato financiare ashtu edhe të tjera kundër dhunës në familje si dhe për mbrojtjen dhe integrimin e viktimave të dhunës në jetën e përditshme.
Raporteri Philip Alston, u prit dje edhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballemi në vijimësi por edhe të bindur për realizimin me sukses të misionit tonë për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në vend”, theksoi Presidenti Topi gjatë këtij takimi ndërsa e njohu Alston me disa prej zhvillimeve më aktuale në Shqipëri, në fushat ku shteti shqiptar po punon me seriozitet për realizimin e reformave efikase, përmbushja me sukses e të cilave përbën edhe një ndër kushtet kryesore për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Në mënyrë të veçantë, kreu i shtetit u ndal në hapat e ndërmarra për respektimin e të drejtave të njeriut si element substancial i çdo shoqërie demokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›