E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajin e ka edhe Umberto Eco

Edmond Tupja 

Javën që shkoi, ime më, që i përket tashmë moshës së katërt, kaloi disa ditë në pavijonin e sëmundjeve infektive të QSUT-së. Ndonëse i rrija ditë e natë te koka, më qëllonte të dilja nganjëherë nëpër korridorin e katit të tretë, ku mureve ishin ngjitur postera e fletëza për mbrojtjen e shëndetit publik. Në njërën prej tyre lexohej: “Pacient! Çdo larje duarsh, një mikrob më pak në trupin tënd! Faleminderit”. Ç’është e vërteta, i laja dendur duart, sepse ne, familjarëve, që qëndronim pranë të afërmve tanë, na duhej edhe të kujdeseshim për ta, edhe të mbronim vetveten nga ndonjë infeksion i mundshëm.
Sigurisht, mikrobe, baktere apo viruse të shumta mund të merren jo vetëm nëpërmjet duarve, por edhe nëpërmjet pjesëve të tjera të trupit si nga mesi e lart, ashtu edhe nga mesi e poshtë. Gjithsesi, posterët dhe fletëzat për larjen e duarve më sollën ndërmend një skicë ironike të Umberto Eco-s me titull “Si t’i shmangim sëmundjet ngjitëse” nga libri i tij “Il secondo diario minimo”, botuar në Milano në vitin 1992. Në atë skicë, autori flet ndër të tjera edhe për dy kategori qytetarësh, e para e llojit artistik, e dyta e llojit politik. Bëjnë pjesë në të parën, sipas Eco-s, pra, aktorët njujorkezë që, “për arsye fonetikore, tek interpretojnë në skenë, nxjerrin pikla pështyme, të cilat mund të infektojnë shikuesit e radhëve të para”. Bëjnë pjesë në kategorinë tjetër deputetët, të cilët, që të mos marrin ndonjë infeksion, nuk duhet të kenë asnjë marrëdhënie mafioze me qëllim që të mos gjenden të detyruar t’i puthin dorën padrinos”; atyre “nuk u këshillohet aspak të lidhen me mafien napolitane për shkak të ritit të saj të përgjakshëm”. Nga ana tjetër, gjithnjë sipas Eco-s, “politikanët që duan të bëjnë karrierë te fondamentalistët katolikë, duhet t’i shmangen seriozisht kungimit për shkak të përcjelljes së mikrobeve, baktereve apo viruseve nga goja në gojë nëpërmjet gishtërinjve të priftit”.
Për të qenë i sinqertë me lexuesit e mi të vëmendshëm e të paanshëm, më duhet të pranoj që edhe pedagogët, pra, edhe unë, ngjasojnë shumë me aktorët njujorkezë. Ka vite që u them studentëve të mi, kur më vijnë për herë të parë në leksion apo seminar: “Zonjusha e zotërinj, sidomos ju të bankave të para e të dyta, që të mos spërkateni nga piklat e pështymës sime, ju këshilloj të pajiseni me çadra të tejdukshme në mënyrë që edhe të mos lageni, edhe të mos i pengoni shoqet e shokët prapa jush të më shohin”. Në dritën e skicës së Umberto Eco-s, vitin që vjen, kësaj këshille do t’i shtoj edhe idenë e ruajtjes së shëndetit nga ndonjë mikrob që mund të ketë pedagogu, d.m.th., unë vetë.
Por, meqë dardha e ka bishtin prapa, sidomos ajo e Umberto Eco-s, më duhet gjithashtu të pranoj se po aq sa jam unë, si edhe një pjesë e kolegëve të mi të Universitetit të Tiranës, i ngjashëm me aktorët njujorkezë, po aq janë të ngjashëm edhe një pjesë jo e papërfillshme e deputetëve dhe e politikanëve shqiptarë me sivëllezërit e tyre italianë. Në këtë kuadër, krimbi i kureshtjes më grish të pyes se cilët deputetë shqiptarë i puthnin, pas vitit 1992, dorën “padrinos” shqiptar? Cili kryepolitikan shqiptar, para nja dhjetë vitesh, u quajt “padrino” nga një tjetër kryepolitikan po aq shqiptar? Natyrisht, këto dy pyetje dëshmojnë se unë interesohem para së gjithash për shëndetin e baballarëve të kombit shqiptar: helbete, “padrinoja” ynë mund ta ketë futur madje edhe të vazhdojë ta fusë dorën, ku t’i shkojë mendja ose, më keq akoma, ai mund t’ia fusë duart ose qoftë edhe gishtin kujt të dojë. Po kështu, zotërinjtë në fjalë nuk duhet të lidhen me mafien tonë kombëtare, e cila, sipas gjasave, ka, edhe ajo ritin e saj të përgjakshëm (le të kujtojmë para disa vitesh atentatet me telekomandim). Së fundi, meqë të paktë janë në numër dhe mediokër në cilësi politikanët shqiptarë që karrierën vetjake e lidhin me ata fondamentalistë, që praktikojnë kungimin për të përcjellë ose nxitur frymën e përçarjes në zona të caktuara me qëllime të caktuara dhe që boll anojnë drejt prishjes së disa ekuilibrave të brishtë, unë do të shquaja në Shqipërinë e sotme, ndryshe nga çfarë shkruan Eco-ja për Italinë, mjaft politikanë të rinj e të vjetër që karrierën vetjake e lidhin me një lloj të veçantë fondamentalistësh pa skrupuj, që do t’i quaja fondamentalistë të parasë. Që paraja do të shndërrohej në fe për këtë lloj politikanësh, këtë vështirë se do ta kisha menduar para disa vitesh, por tani fshati i tyre bie kaq shumë në sy sa nuk do kallauz dhe “kungimi” nëpërmjet parasë po përcjell më të rrezikshmin e mikrobeve, baktereve apo viruseve që po ia gërryen shpirtin njeriut të sotëm shqiptar. Ky “kungim”, me sa shihet, zhvillohet jo aq në banka, sesa te partitë, çka ta tërheq vëmendjen veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, por edhe jashtë tyre.
Sidoqoftë, për këtë shkrim, fajin e ka edhe Umberto Eco-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›