E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shpall rikandidim në Tiranë: Ja arsyet e vendimit

“Tiranasit nuk votojnë për një mandat të përgjysmuar. Me zgjedhjet e reja, me PS-në në qeveri dhe me mua Kryeministër, ajo do ketë mundësinë të zhvillohet edhe më shumë”

Intervistoi: Sokol Balla

Kreu i PS-së, Edi Rama shpalli mbrëmë në “Top Story” të Sokol Ballës rikandidimin e katërt për bashkinë e Tiranës. Ai tha se ky vendim jo i lehtë erdhi si pasojë e kërkesave të mijëra simpatizantëve të PS-së, por edhe sepse trysnia e pushtetit ka krijuar një pasiguri te shumë njerëz.

Lulëzim Basha sapo ka dhënë dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm dhe nga mandati i deputetit, duke zyrtarizuar kandidaturën për Bashkinë e Tiranës...

Unë e lexoj ndryshe. Për mua është një hap drejt përballjes me drejtësinë për çështje që mbeten të hapura mes tij dhe popullit shqiptar, duke filluar nga grabitja kolosale e Rrugës së Kombit dhe duke vazhduar me tragjedinë e 21 Janarit, ku ai është personalisht përgjegjës për vrasjen e katër demonstruesve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, ku ai është i vetmi ministër i Brendshëm në listën e ministrave që ka njohur eksperienca afër dhe larg Shqipërisë që pas vrasjes së qytetarëve të pafajshëm nuk ka marrë së paku përgjegjësinë e drejtpërdrejtë politike dhe morale për të dhënë dorëheqjen... Përsa na takon ne, ai është thjesht dhe vetëm një person në kërkim nga populli shqiptar nga populli opozitar për çështje të hapura me drejtësinë... Të mos harrojmë se ky emër figuron në raportet e BE-së si një shëmbëlltyrë e kulturës së pandëshkueshmërisë në vendin tonë.

Si ka mundësi që ndërkombëtarët nuk arritën të mbështesin asnjë prej kërkesave që ju paraqitët pas 21 Janarin dhe së dyti, nga këto tri kërkesa që ju keni paraqitur 24 orë më parë, a shpresoni që njëra prej tyre do të bëhet dhe çfarë do të bëni në të kundërt dhe a shpresoni në atë që tha Lajçak, për një tryezë të mundshme me Berishën me ndërmjetësimin e ODIHR-it?

Unë thjesht kam folur hapur me shqiptarët, duke respektuar në heshtje përpjekjet e përbashkëta me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për të respektuar një proces i cili ka pasur nevojë për dialog, për mirëkuptim. Saliu e ka thuajse të pamundur, për të mos thënë tërësisht të pamundur të lëshojë “pé” në këto çështje sado të thjeshta dhe elementare të jenë, sepse aty e ka lidhur edhe fatin e pushtetit të tij. Ai nuk është i zgjedhur me vota, është i imponuar përmes vjedhjes së votës. Kemi thënë për dy vite me radhë, se në kutitë e materialeve zgjedhore gjendet një e vërtetë shumë e hidhur, një e vërtetë që duhet zbuluar përpara popullit shqiptar, që të mos përsëritet më një proces zgjedhor ku populli zgjedh dikë dhe dikush tjetër zgjidhet duke mbushur kutitë. Ne sot disponojmë prova të reja që do t’i bëjmë publike, që do të vazhdojnë të dëshmojnë të vërtetën e hidhur të kutive të 28 qershorit të vitit 2009, sepse jemi vënë në dorëzim të tyre tani, pasi, në shkelje flagrante të ligjit dhe vazhdim të veprimtarisë së tij antiligjore si një mbrojtës fanatik i interesave të pushtetit, Ristani ka zhvilluar një proces ilegal, duke i hapur dhe fotokopjuar materialet zgjedhore për llogari të fushatës së ardhshme, ata e dinë se për çfarë i duan, por nga ana tjetër në këto materiale gjenden plot e plot të vërteta shumë të hidhura, që do të vazhdojnë të dëshmojnë se pse materialet zgjedhore duhen hapur dhe nuk do të mund të mbeten të mbyllura, sepse ata që kanë marrë për të deformuar votat nuk do të mund t’i shpëtojnë më ligjit.

Në tri kërkesat që ju bëtë publike, a shpresoni që ndonjëra prej tyre do të realizohet?

Për ne transparenca e plotë e listave është një domosdoshmëri... Zgjedhjet që kemi në prag nuk janë fundi i rrugëtimit tonë, por një stacion në mes të rrugës sonë dhe ne në këtë stacion do të shkojmë siç kemi shkuar në demonstratat e mëdha.

Pak ditë më parë, Xhafaj rihodhi tezën e mospjesëmarrjes në këto kushte në zgjedhjet e 8 Majit. A është sërish mospjesëmarrja në zgjedhje një obsion?

Unë nuk mendoj se teza e hedhur nga z.Xhafaj ka pasur këtë kuptim. Unë e përsëris. Ne do të jemi kudo dhe përballë do të luftojmë për votën e qytetarëve, do ta marrim dhe do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur atë, dhe në rast se vota do të preket ne do të jemi në rrugë dhe nuk do të kthehemi nga rruga deri sa të vendosim demokracinë, lirinë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me votë.

Ndërkombëtarët kanë një farë shqetësimi se mund t’i hidhni në erë zgjedhjet e 8 Majit. A është braktisja e procesit zgjedhor në datën 8 Maj një obsion i PS-së?

Në erë janë hedhur zgjedhjet e 28 qershorit nga pushteti që i vodhi votat, mbylli kutitë dogji fletët e votimit... Ne sot kemi një detyrim madhor karshi këtij vendi, karshi ardhmërisë së këtij vendi, për të hapur një rrugë të re dhe e vetmja rrugë është rruga jonë, është rruga që të çon drejt lirisë së votës, lirisë për të pasur një proces të drejtë, lirisë për të konkurruar në shkollë, në treg, dhe për një vend pune, dhe lirisë për të fituar më shumë para përmes konkurrencës.

Çfarë do bëni ju në rast se vëreni që këto parregullsi që keni vërejtur do përsëriten në ditën e zgjedhjeve? Do ta braktisni procesin?

Ne nuk jemi në këtë betejë për t’u tërhequr. Ne nuk jemi në këtë për betejë për në rast se, ne jemi në këtë betejë për të bërë gjithçka që mundemi të bëjmë dhe do bëjmë gjithçka mundemi, ne do shkojmë te njerëzit e zakonshëm, ne do shkojmë derë më derë, ne do u flasim atyre me zemër të hapur, ne do u themi se së bashku mund të bëjmë të mundur ato që sot mund të duken të pamundura.

Ju nuk u përgjigjët se çfarë keni ndërmend të bëni në rast se këto parregullsi shfaqen ditën e zgjedhjeve.

Jua dhashë përgjigjen, do të luftojmë hap pas hapi, orë pas ore, minutë pas minute në çdo front, do të luftojmë kudo, do luftojmë në fshat. Do të luftojmë për votën, do luftojmë për zemrat e njerëzve, do luftojmë për të bërë të mundur që kjo rrugë, rruga jonë e vetmja rrugë për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, për të dalë nga ky qerthull, mund të triumfojë dhe do të triumfojë. Ne s’po bëjmë gjë tjetër veçse po bëjmë betejën tonë. Ajo që ndodhi dje dhe që do ndodhë kudo në çdo rast dhe në çdo moment që do të jetë nevoja, është vetëm dhe thjesht mesazhi ynë për çdo qytetar dhe qytetare që ka vetëm një rrugë për të dalë nga varfëria, ka vetëm një rrugë për ta zmbrapsur papunësinë, ka vetëm një rrugë për ta çliruar Shqipërinë nga kthetrat e këtij korrupsioni dhe kjo është rruga e Partisë Socialiste dhe e opozitës përmes çlirimit të votës dhe përmes shprehjes së vullnetit me votë.

Çfarë do bëj PS-ja për rastin e amnistisë fiskale, pasi, në rast se ju nuk e votoni, ju mund të bëni armiq qarqet e biznesit?

Të gjithë e njohin Saliun dhe të gjithë e kanë marrë vesh që Saliu është gati të falë qiellin dhe tokën në momentin kur u lyp shqiptarëve votat, ndërkohë që mendon sesi ato vota që nuk i dalin për të qëndruar aty ku është t’i plotësojë duke vjedhur pjesën tjetër të votave. Përsa i përket Amnistisë Fiskale, kjo ka qenë në programin tonë qeverisës. Dhe ne nuk kemi asgjë kundër amnistisë fiskale në parim, por ama në rast se bëhet fjalë për një amnisti fiskale serioze dhe jo për të legalizuar paratë e naftës virxhin apo të kanaleve të tjera të drogës, të kontrabandës, të trafiqeve që lidhen drejtpërdrejtë me Saliun dhe oborrin e tij. Atëherë ne jemi të gatshëm të diskutojmë shumë seriozisht dhe të bëjmë një ligj i cili të jetë i standardeve demokratike ndërkombëtare, jo i standardeve të oborrit të Saliut.

Tani apo pas zgjedhjeve?

Kuptohet që ajo që ndodh tani është thjesht dhe vetëm për të bërë përulësisht dhe në mënyrën më hipokrite përpara biznesit atë që Saliu nuk e bëri deri më sot dhe nuk ka për ta bërë sapo të jetë aty, pasi të ketë hedhur këtë lum që në fakt nuk ka për ta hedhur dot me fitoren që ëndërron. Këtu ka gjera që duhen ndarë, amnisti fiskale e standardeve ndërkombëtare, po! Amnisti fiskale për të legalizuar paratë e bëra me trafiqe, me kontrabandë, me drogë e me gjithfarë pisllëqesh e zullumesh të tjera që kanë lidhje me oborrin e Saliut, jo!

Pse u prish marrëveshja me PBDNJ për zgjedhjet?

Më lejoni ta them qartë dhe sinqerisht se Vangjel Dule është jo vetëm një aleat i denjë i yni, por edhe një mik i mirë dhe një qytetar i mirë i këtij vendi. Me Vangjel Dulen kemi patur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe një bashkëpunim për të cilin unë dhe PS i është thellësisht mirënjohës dhe me respektin më të thellë. Ndërkohë, përsa i përket koalicionit, ai nuk është pjesë e koalicionit, por me të ne do të bëjmë një marrëveshje të veçantë, e cila do të jetë një marrëveshje bashkëpunimi mes aleatësh të ndershëm dhe të hapur për publikun, të cilët bashkohen për shumëçka, por jo për gjithçka, sepse po të bashkoheshin për gjithçka do ishin bashkë në një koalicion.

Ju u ndatë për Himarën dhe tashmë do kandidoni me kandidatin tuaj. Pse ju nuk e mbështesni PBDNJ-në në Himarë?

Ne kemi një qëndrim thjeshtësisht të ndarë në raport me Himarën dhe nuk e kemi me PBDNJ-në, nuk e kemi me Vangjel Dulen, por e kemi si qëndrim kritik ndaj një sërë qëndrimesh për vijën e sjelljes së kryetarit të Bashkisë së Himarës. Unë nuk shkoj më tutje, sepse nuk kam as dëshirë, por mbi të gjitha as prirjen që t’i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmës dhe të bëj shqiptarin e flaktë, siç e bëjnë ata që nga njëra anë digjen me fjalë për Shqipërinë dhe nga ana tjetër e djegin atë siç e dogjën më ’97-n. Në këtë qëndrim ne ndahemi me Vangjelin dhe për këtë arsye ne do të garojmë veç e veç, sepse ne konsiderojmë që kryetari i Bashkisë së Himarës nuk i përgjigjet denjësisht as nevojave të atij komuniteti dhe as domosdoshmërisë për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme, respekti të ndërsjellë dhe bashkëjetese demokratike qytetare europiane mes shqiptarëve dhe përfaqësuesve apo anëtarëve të minoritetit.

Ju keni 10 vite që qeverisni rresht... PD-ja ka kandidatin e saj zyrtar dhe është hera e parë që PD-ja e deklaron e para kandidatin, por PS-ja ende jo. Kush do të kandidojë?

Më lejoni t’ju shpjegoj me pak fjalë procesin që për mua personalisht ka qenë një proces i ngarkuar shpirtërisht, për arsyen se mendja ime dhe arsyeja normale e shumëkujt rreth e rrotull meje dhe e shumë kujt mik e dashamirës, më ka thënë që është koha për t’i dhënë Tiranës një kandidat dhe tjetër kryetar Bashkie të Partisë Socialiste dhe për mua që të angazhohem më pas fund e krye me punën aspak të lehtë të udhëheqësit të opozitës. Në anën tjetër më është dashur, dhe për këtë arsye thashë ka qenë proces i ngarkuar shpirtërisht, të ndeshem përditë e intensivisht. Sa më shumë ka afruar dita që po flasim, aq më shumë me zërat e mijëra njerëzve, drejtpërdrejt, në rrugë, me mesazhe apo e-maile më kanë kërkuar që unë të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës, si të më kërkonin diçka që nuk duhet t’ua refuzoja. Kjo ka ardhur e është bërë edhe më e dukshme edhe nga vetë miqtë e bashkëpunëtorët, deputetët, një pjesë e madhe e të cilëve kanë ndarë me mua më parë bindjen se ishte koha për një ndryshim. Unë do ta marr përsipër të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës për të gjithë ata që e kërkojnë këtë gjë nga unë, për të gjithë ata që kanë mundur të arrijnë në veshët e mi dhe për të gjithë ata që nuk kanë mundur ta bëjnë këtë.

Pra, ju do të kërkoni një mandat të katërt?

Unë do të qëndroj kryetar i Bashkisë së Tiranës. U kërkoj ndjesë sot të gjithë kolegëve të mi në parti dhe kryetarëve të bashkive, që nesër do të rikonfirmohen apo do të jenë kandidatë, për këtë deklarim timin të shkëputur prej vendimit të shpalljes së të gjithëve. Por, kjo trysni e pushtetit ka krijuar një pasiguri te shumë njerëz dhe që ka intensifikuar shprehjen e shqetësimit tek unë. Doja t’i jepja fund këtij shqetësimi, duke thënë se Bashkia e Tiranës ka qenë dhe mbetet modeli i zhvillimit, të cilin ofrojmë dhe kemi detyrimin ta mbrojmë nga ky regjim. Kemi për detyrë ta mbrojmë Tiranën nga ky regjim që u mbyll edhe dritat që të mos lejojë të shikojnë një emision. Ky regjim ka dy vjet që bën çmos të bllokojë punët e Tiranës dhe mban peng punë që sot do të ishin kryer. Këtu dua ta theksoj, jo se bashkia ka ulur ritmin, pasi ajo e ka dyshuar, por bashkimi i Ilir Metës dhe Sali Berishës ka marrë peng këshillin bashkiak. Votat që i dhanë Ilir Metës që bashkë me socialistët t’i hapë rrugë zhvillimit të qytetit, ai i përdori për t’i marrë peng projektet e zhvillimit.

Disa politikanë, përfshi edhe zotin Islami, thonë se ato vota të LSI-së mund të jenë faktor plus për zotin Basha?

Çfarë janë votat e popullit, janë konto bankare që lëvizin nga një bankë te tjetra dhe ndryshon vetëm kursi i këmbimit? Jo, mo, jo! Ata që ia kanë dhënë votën Ilir Metës për një Tiranë më të mirë nuk mund t’ia japin sot votën atij.

Një projekt juaji është ai i Bashkisë së Tiranës. Një projekt i vonuar, por që ngjalli shumë reagime. Komuniteti musliman tha se nuk mund t’i lutet Zotit në një tokë që s’është e tyre...

E kam mbajtur jashtë debatit politik këtë çështje e nuk dëshiroj ta përfshij. Ata që marrin përsipër të godasin kundërshtarin politik apo tjetrin në emër të Zotit, le t’i shlyejnë hesapet me Zotin, por unë mund të them disa fjalë të thjeshta. Projekti i xhamisë dhe bashkë me të edhe projekti muze i Tiranës dhe bashkëjetesës fetare është domosdoshmëri për këtë qytet dhe jam krenar që e kemi çuar përpara këtë projekt. Nuk do të qëndrojmë te deklaratat apo kundërdeklaratat, por e kemi çuar projektin përpara duke bashkëpunuar me komunitetin musliman.

Janë përmendur disa emra të mundshëm për kandidimin në Tiranë. Zoti Majko, Klosi, Veliaj apo edhe zoti Bare...

Kam besuar se PS-ja ka njerëz që mund ta udhëheqin më tej punën për Tiranën, por nga ana tjetër për arsyen që ju shpjegova fare hapur vendosa ta marr përsipër këtë gjë dhe e quaj detyrim ndaj kësaj mase të gjerë njerëzish që nuk do doja ta lija të keqkuptuar apo me zemër të ngrirë. Duhet të zmbrapsim koalicionin e turpit nga këshilli bashkiak i Tiranës.

Pas dy vitesh, më 2013, janë zgjedhjet politike të parashikuara. E zëmë se do zhvillohen më herët, siç synoni ju, apo edhe në atë kohë. Në rastin kur ju do ishit kryetar bashkie, çfarë do të bënit? Do futeshit në listën për deputetë?... Pse Tirana duhet të zgjidhte një kryetar për mandat të përgjysmuar?

Tirana nuk do të futet në asnjë stres. Ajo duhet të çlirohet vetëm nga një stres dhe ai është stresi i një pushteti që nuk ka lënë asgjë pa bërë për ta minuar Tiranën. Nuk ia ka dalë dot edhe pse shumëçka do lëvizte më shpejt nëse Ilir Meta nuk do t’i shiste votat e Këshillit Bashkiak për të marrë në bllokun e zi të korrupsionit. Tirana merr frymë, do apo s’do Saliu. Do të marrë frymë lirisht edhe më 8 Maj dhe atë ditë qytetarët do t’i çojmë mesazhin Saliut: Kurrë më! Kjo do na hapë rrugën e betejës sonë për largimin e Saliut dhe për t’i dhënë Tiranës hovin e ri.

Zgjedhjet politike më 2013, apo kurdo qofshin, çfarë do bëjë kryetari i Bashkisë së Tiranës, nëse do jeni ju. Do futeni në zgjedhje, duke hequr dorë nga mandati i kryebashkiakut apo...

Tiranasit nuk votojnë për një mandat të përgjysmuar. Kur them tiranasit, e kam për të gjithë të ardhurit apo autoktonët. Do të votojnë për t’i dhënë Saliut një mesazh dhe për të vazhduar punën për Tiranën. Një punë që nuk varet më nga Edi Rama, por për Tiranën që është në rrugën e zhvillimit. Me zgjedhjet e reja, me PS-në në qeveri dhe me mua Kryeministër, ajo do ketë mundësinë të zhvillohet edhe më shumë. Ky është mandat për të ndarë edhe një herë tjetër Tiranën nga barbarët që kanë dhënë shembuj vetëm se si mund ta barbarizojnë këtë qytet. Kandidati i shpallur i ka borxh Tiranës disa qindra mijë euro për shembjen e mbikalimit të Zogut të Zi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›