Gara për Tiranën, Basha dorëhiqet si ministër dhe deputet
Lulëzim Basha jep dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe si ministër i Brendshëm. Sot shpall programin për Tiranën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”
TIRANË - Nga koordinator i KOP-it, u zgjodh deputet, anëtar i kryesisë së PD-së dhe prej gjysmë dekade është ministër. Por dje, Lulëzim Basha vendosi zyrtarisht që të hedhë hapin tjetër, atë të kandidimit për Bashkinë e Tiranës, duke i paraqitur për pasojë Kryeministrit Sali Berisha, dorëheqjen nga detyra e ministrit të Brendshëm. “Po sot (dje), zoti Basha, në një letër dërguar Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Brendshme. Dorëheqja e Bashës nga posti i Ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht ai i deputetit, erdhi një ditë para se ai të shpallë publikisht programin e tij për Tiranën. Nën sloganin “Fillon e ardhmja e Tiranës”, Lulëzim Basha do të bëjë prezantimin e tij publik sot, në Pallatin e Sportit ”Asllan Rusi”. Ai mbështetet nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, ndërkohë që paralajmëron se do të zhvillojë një fushatë me ide dhe alternativa. Pak ditë më parë, në 19-vjetorin e ditës së ardhjes në pushtet për herë të parë të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha u shpall kandidati i PD-së për Tiranën. Në fjalën e tij, Basha tregoi për lidhjen 19-vjeçare që ai ka me këtë forcë politike. Dikur, si vëzhgues i zgjedhjeve të vitit 1992, ndërsa tani si kandidati potencial i selisë blu, për të fituar betejën më të vështirë në këto zgjedhje lokale, pikërisht Tiranën e cila drejtohet prej vitit 2000 nga kryetari i bashkisë dhe lideri i opozitës, Edi Rama. Beteja e parë e Lulzim Bashës në Tiranë ka qenë në 2005-ën, në zonën elektorale nr. 33, ku ai fitoi mandatin e parë si deputet përballë Arben Ahmetajt. të Partisë Socialiste. Me të fituar zgjedhjet e 3 korrikut, në qeverinë “Berisha 1”, Basha u emërua për herë të parë ministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, për të vijuar më pas drejtimin në dy dikastere, po aq të rëndësishme si Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme. N.Perndoj