E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama shton manipulimet për mos tu larguar nga PS, kërkon peticione nga krerët e rretheve

Gramoz Ruçi organizatori i skemës së manipulimeve
Humbja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 Qershorit ka nxjerrë si fajtorë kryesorë dy personazhet që e drejtuan këtë parti gjatë fushatës,  Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin. Nëse Edi Rama e personalizoi fushatën duke e kthyer në sfidë personale, Gramoz Ruçi ka përgjegjësinë që toleroi aventurën e kryesocialistit duke e mbështetur me makinacione të ndryshme. Përçarja e së majtës, imazhi i rënuar i Edi Ramës, armiqësia e madhe e krijuar nga futja në skemën e kandidatëve të shumë figurave pa personalitet, shpërbërja e strukturave, si dhe makutëria e vetë Ramës  sollën humbjen  katastrofike të socialistëve në këto zgjedhje. Kryesocialisti Rama kërkoi që nëpërmjet një goditje të asgjësonte gjithë politikën shqiptare për të qenë vetëm ai ylli i ri i politikës shqiptare. Tani i rrënua më shumë se kurrë ky njeri po bën të gjitha tentativat për tu kapur pas kamardares së Partisë Socialiste për të shpëtuar nga gjurmët e korrupsionit që ka zhvilluar në Bashkinë e Tiranës. Në përpjekjet e tij të dëshpëruara Edi Rama po kërkon me çdo kusht të vazhdojë të mbajë kreun e selisë rozë duke kryer makinacione dhe manipulime të ndryshme.I përfshirë në këtë aferë manipulimesh është Gramoz Ruçi i cili i thërret kokë më kokë krerët PS në rrethe duke ju kërkuar ndihmën e tyre për të mos hequr Edi Ramën. Frika që ka mbërthyer Gramoz Ruçin konsiston në lidhjen e ngushtë të tij me kryetarin e bashkisë së Tiranës në aferat e përbashkëta të lejeve të ndërtimit. Tentativat e  Ed Ramës dhe Gramoz Ruçit për ti shpëtuar largimit  nga selia rozë, kanë qenë jo vetëm të shumta gjatë gjithë këtyre ditëve, por edhe të ndryshme në llojin e tyre. Megjithatë, pavarësisht këtyre, qëllimi i Ramës mbetet i njëjtë, hipnotizimi i një pjese të madhe të socialistëve që këta të fundit të bëhen palë me të dhe të heshtin ndaj kërkesës për dorëheqje ndaj tij. Pas manipulimit të dështuar të disa prej tyre gjatë mbledhjes së fundit me 140 kandidatët për deputetë, kryesocialisti Rama është përqendruar tashmë tek krerët e organizatave të PS në rrethe. Burime të sigurta pranë PS, bëjnë të ditur se Rama ka nisur negociatat telefonike me ta, duke u kërkuar që të bëjnë peticion për ta mbajtur atë sërish drejtues të Partisë Socialiste, me pretekstin se pavarësisht fryteve të tij në politikë, elektorati por edhe vetë socialistët e duan dhe kanë besim ende tek ai. Nuk dihet me siguri se sa prej tyre do ti binden Ramës në mbështetje të propozimit të tij urdhërues, por deri tani të gjithë tentativat e këtij lloji të iniciuara prej tij, duket se kanë funksionuar sipas planifikimit, duke mos dhënë edhe një rezultat të kënaqshëm. Kjo tregon se tashmë për Ramën ka mbërritur era e dështimit, edhe pse nuk gjen guximin as moralin ta pranojë dhe reflektojë me veprimet e duhura politike. Dështoi me zgjedhjet, por po mundohet jashtë kapacitetit të tij të shmangë edhe një tjetër dështim tashmë të konfirmuar, siç është drejtimi i PS.  Pas fundosjes që pësoi me rezultatin zgjedhor, dështimi i njëpasnjëshëm i skemave manipulative ndaj socialistëve për mbajtjen me dhunë të postit drejtues të PS, ka shkaktuar frikë por dhe agresivitet tek Rama. Këtë gjendje ai e ka pasqyruar gjatë daljeve të tij për mediat, por edhe me reagimet dhe veprimet brenda selisë rozë. Vetëm 3 ditë më parë, Rama theu të gjithë kompjuterat e kësaj selie, nga inati që formulat e kalkuluara në bashkëpunim me përkrahësit e tij Islami, Ruçi etj., nuk pinë më ujë as brenda PS, jo më në elektorat.
Skemat e dështuara të Ramës për mbajtjen me forcë të kreut të PS    
Pas humbjes së zgjedhjeve, kreut të PS, i mbetej vetëm të jepte dorëheqjen si kryetar i kësaj partie. Por duke qenë se Rama ende nuk e njeh këtë institucion demokratik pavarësisht precedentëve të së majtës, i ndihmuar nga socialistët e tij besnikë mes të cilëve spikat Ruçi, nisën manovrat politike për justifikimin para elektoratit por dhe socialistëve të tjerë që të mos largohej nga drejtimi i PS. Fillimisht ata organizuan një protestë në Fier me pretekstin se po u vidhej vota dhe mandati, edhe pse rezultati i përkthyer në qeverisje mbetej i njëjtë. Mbrëmjen e datës 1 prill, Ruçi u angazhua personalisht në këtë protestë artificiale. Por teksa pritej që aty të mbërrinte edhe Rama, telefonata e ambasadorit amerikan John Ëithers, e ktheu në rrugë. Protesta u shua brenda pak orëve, por për tu pasuar më tej me inskenime të tjera të fshehta dhe manipuluese në terrenin brenda partisë. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama kishte dhënë urdhër që të mos lejoheshin dy kundërshtare të forta të tij, Eva Allushaj dhe Edlira Haxhiymeri. Nga burimet brenda PS, bëhet e ditur se Rama kishte mësuar nga përkrahësit e tij, se dy kundërshtaret kishin vendosur që tia kërkonin dorëheqjen Ramës në sy dhe përpara të gjithë anëtarëve të kryesisë. Për të shmangur këtë incident, i cili në të vërtetë dyshohej se mund të ndizte edhe anëtarë të tjerë të kryesisë për një kërkesë të tillë, Rama kërkoi që dy kundërshtaret e tij të mos ishin pjesëmarrëse në këtë mbledhje zie për të. Ndërsa lëvizja tjetër e Ramës ishte në mbledhjen e dy ditëve më parë me 140 kandidatët socialistë për deputetë. Gjatë kësaj mbledhjeje, Rama kishte instruktuar disa prej socialistëve që të flisnin kundër dorëheqjes së tij. Kandidatët e mësuar nga kreu socialist, do ta proklamonin atë si një lider të cilin elektorati i majtë e do ende në drejtimin e PS. Më të spikaturat në këtë inskenim të turpshëm u dalluan Rudina Seseri dhe Lindita Nikolla. Megjithatë, pakti i fshehtë mes Ramës, Seserit, Nikollës dhe personazheve të tjerë episodikë, nuk ka shpëtuar pa u kuptuar nga kandidatët e tjerë socialistë, të cilët tashmë nuk kanë asnjë dyshim se Rama është një dështak që luajti keq me emrin e tyre, por edhe me vetë PS. Justifikimi i vazhdueshëm i kryesocialistit Edi Rama për humbjen e zgjedhjeve dhe mosdorëheqja e tij nga drejtimi i Partisë Socialiste ka irrituar socialistët, të cilët nga ana e tyre po përgatitin terrenin për largimin me dhunë të tij. Burime të sigurta pranë PS bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve është hartuar skenari Rama ik, i paralajmëruar prej ditësh nga gazeta SOT. Sipas këtyre burimeve, mësohet se një pjesë e mirë e socialistëve, të indinjuar nga humbja e thellë që Rama i shkaktoi të majtës, por edhe nga kryeneçësia e tij për të mos dhënë dorëheqjen, janë organizuar për ta përzënë një herë e mirë atë nga PS, edhe pse godina e selisë rozë mbrohet rreth e rrotull nga policët e tij bashkiakë.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›