E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Shqipëria duhet të presë 2010-ën

Në fund të javës tjetër fillojnë procedurat për udhëtimin pa viza për Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë


TIRANË - Shqipëria nuk ka plotësuar ende standardet për të përfituar nga liberalizimi i vizave, duke shpresuar që një gjë e tillë të ndodhë vetëm në vitin 2010. Përmes një konference për shtyp, komisioneri për Drejtësi i Bashkimit Europian, Zhak Barrot, tha se në regjimin e ri të vizave për Ballkanin Perëndimor, do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur t'i kenë përmbushur kriteret e duhura.


Kjo do të thotë që Shqipëria, ashtu si edhe Bosnja, duhet të presë edhe një vit për t'ia arritur qëllimit dhe vetëm nëse ajo përmbush kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian.


Ndërkohë, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, sipas Barros, kanë përmbushur disa nga kushtet dhe kriteret e vendosura, siç janë prezantimi i pasaportave biometrike, ndërmarrja e hapave të duhur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, monitorimi i duhur i kufirit etj.


Maqedonia është renditur e para për konkretizimin e kushteve të vëna nga BE-ja, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi do të kenë afat deri në fund të këtij viti të realizojnë edhe ato kritere, të cilat nuk kanë arritur t'i përmbushin me përpikëri.


"Ekzekutivi i Bashkimit Evropian në Strasburg, do të propozojë javën e ardhshme, dhe konkretisht, ditën e enjte, që qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë, t'u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së, prej fillimit të vitit të ardhshëm",- tha Komisioneri për Drejtësi i BE-së, Zhak Barrot.


Ndërsa Shqipëria mbetet ndër të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor, e cila përjashtohet nga kjo kategori, dhe kjo për arsyen se qeveria shqiptare nuk përmbushi në kohë dhe ashtu siç duhet kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›