E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama s’ka respekt për parlamentin shqiptar - jam i gatshëm për transparencë”

04-07-2012 / Gazeta 55

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami u përgjigjet akuzave të kasnecëve të PS
 
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami iu përgjigj dje akuzave të bëra nga deputetët e opozitës në komisionin e sigurisë mbi buxhetin dhe emërimet e gradave në këtë dikaster.
Imami është shprehur se është i gatshëm për të bërë transparencë dhe se do të lejojë deputetët e opozitës për kontroll. Ai tha se ky kontroll do të nisë më 10 korrik dhe do të zgjasë rreth 3 muaj.
Deputetët e opozitës e kanë akuzuar ministrin Imami se nuk i ka lejuar për të kryer kontrolle pranë këtij dikasteri, ndërsa ai thekson se hetimet kryhen mbi mandate të caktuara ligjore dhe institucionale. “Ministria e Mbrojtjes është transparente në punën e saj. Jemi të hapur për çdo hetim, por Edi Rama duhet të ketë respekt për parlamentin shqiptar. Hetimi kryhet mbi baza ligjore dhe parlamentare”, tha ministri Imami.
Ndërkohë, 8 deputetë të opozitës iu drejtuan dje dyerve të Ministrisë së Mbrojtjes, për të kryer kontrolle në institucion edhe pse pa një mandat hetimi të lëshuar nga organet kompetente. Jashtë çdo rruge ligjore dhe institucionale, ligjvënësit opozitarë u orvatën rreth Ministrisë derisa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes i ftoi në një takim në zyrën e tij.
Pas takimit i cili zgjati disa minuta, u ra dakord që kontrolli të fillojë në 10 korrik, sipas pretendimeve të parashtruara nga grupi i deputetëve opozitarë.
“Kërkuam që të vijmë dhe të marrim kontakt me autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për të realizuar të drejtën e legjislativit për kontroll mbi ekzekutivin, aq më tepër kur bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm, si kjo ministri, ku transparenca është e domosdoshme për këtë ministri si vend anëtar i NATO. Objektiv i kontrollit është zbatueshmëria e ligjit për veprimtarinë e shërbimit informativ ushtarak, për armatimet ushtarake, për eksportin, kemi të dhëna që synojmë ti zbardhim”, u shpreh socialisti Ilir Gjoni në momentin e largimit nga institucioni.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›