E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eduard Halimi: Mandati i Ina Ramës përfundon në nëntor

04-07-2012 / Gazeta 55

Raporti i Ministrisë së Drejtësisë ndezi dritën e alarmit aty ku realisht ka shkelje

“Asnjë institucion nuk mund të ketë mandat të pa limituar dhe si rrjedhojë mandati i Kryeprokurores së Përgjithshme është i paracaktuar në Kushtetutë për përmbylljen e tij në nëntor të këtij viti”.
Kështu u shpreh dje ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi duke komentuar debatin e ditëve të fundit rreth mandatit të Kryeprokurorit.
Sipas tij, konstitucionalisti kur harton Kushtetutën përcakton dhe dispozitat tranzitore për mandatet dhe ndryshimet kushtetuese të 2008 për mandatin e Prokurorit nuk kanë fuqi prapavepruese. “Qoftë Kushtetuta, qoftë ligji për mbrojtjen e Prokurorisë flasin qartë se mandati për Kryeprokuroren e Përgjithshme mandate mbaron në nëntor të 2012. Çdo institucion që nga Presidenti deri tek institucionet e tjera duhet të jenë me mandate, ka qenë diskutim i bërë kohë më para se të emërohej Ina Rama. Nuk mund të ketë institucion pa mandat. Kushtetutbërësi kur harton Kushtetutën përcakton dhe dispozitat tranzitore për mandatet. Ndryshimet kushtetuese të 2008 për mandatin e Prokurorit nuk kanë fuqi prapavepruese”m, tha ai.
Duke e vlerësuar raportin e Ministrisë së Drejtësisë, kundrejt Prokurorisë një raport periodik që ka si funksion të ndezë dritën e alarmit aty ku realisht ka shkelje, Kreu i drejtësisë tha se Ina Rama duhet të alarmohej për shkeljet e vartësve të saj dhe jo për monitorimin që është bërë nga Ministria.
“Raporti mbi Prokurorinë ishte periodik,heton performancën e Prokurorisë. Pushtetet janë të pavarura por të kontrollueshme. Kontrollet janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar, monitorimi i institucioneve është i rëndësishëm për të ndarë perceptimin e publikut nga gjendja reale, ky është qëllimi i inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat zakonisht bëhen mbi ankesat e qytetarëve. Raporti që e kemi çuar në Parlament ka të bëjë me 16 inspektime, nga këto 14 të kërkuara nga qytetarët dhe 2 të MD. Nga këto kanë rezultuar se GA 15 për qind të Prokurorëve kanë pasur shkelje disiplinore dhe kjo nuk është diçka madhore ,madje shumë herë larg perceptimit të publikut, se po ti pyesësh ata thonë edhe 90 për qind. Askujt si pëlqen të kontrollohet, por nëse kontrolluesi të thotë kujdes se ke 15 për qind të Prokurorëve me probleme kjo duhet marrë seriozisht dhe të reflektohet, jo të bëhen deklarata boshe dhe të hidhet faji tek të tjerët. Ministria e Drejtësisë kontrollon politikat penale, ndez llambat e alarmit”, shtoi Halimi.
I pyetur nëse e gjithë skema ishte një hap i parë për të vulosur shkarkimin e zonjës. Rama, Halimi shpjegoi se në tërësinë e raportit nuk ceket fare Kryeprokurorja e Përgjithshme, duke e cilësuar më tepër një çështje mediatike.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi paralajmëroi kalimin e dy projektligjeve shumë të rëndësishme mbledhjen e së mërkurës në Këshillin e Ministrave, atë të Gjykatës së Lartë dhe ligjin për Konferencën e Gjyqësorit. Bazuar në faktin se ligjet kërkojnë 3/5 për miratim në Parlament, Halimi u shpreh optimist, sidomos për ligjin për Konferencën e Gjyqësorit, pasi sipas tij opozita deri më tani ka dhënë pëlqimin rreth draftit të hartuar.
“Të mërkurën në Këshillin e Ministrave do kalojmë 2 projektligje, atë për Gjykatën e Lartë dhe për Konferencën e gjyqësorit. Besoj se do të marrë konsensusin e opozitës, ka një vit e gjysmë që po hartohet si ligj, para pak muajsh pati një konferencë ku ishin dhe deputetë të opozitës. Ligji parashikon të njëjtat rregullime që ka pasur, ka disa risi si zgjedhjen e anëtarëve të KLD në mënyrë të drejtpërdrejtë jo me delegim, organizimin e fushatave nga gjyqtarëve, është një ligj teknik më tepër. Edhe anëtarët e PS janë shprehur pozitivisht për draftin, besoj se do marrë miratimin e opozitës brenda korrikut. Sa i përket ligjit për Gjykatën e Lartë është rënë dakord që të ketë 19 anëtarë, do funksionojë me tre dhoma me 6 gjyqtarë dhe një gjykatës. Procesi i emërimit të anëtarëve udhëhiqet nga meritokracia dhe vlerat e juristëve dhe gjyqtarëve, vendosen kritere dhe kushte më të qarta për përzgjedhjen qoftë nga Presidenti apo dhe kalimi që bëhet në Parlament. Kryesorja është transparenca që e shoqëron këtë proces nga gjeneza deri në përfundimin e saj, si dhe konsultimet e Presidentit me grupin parlamentar”, sqaroi Ministri i Drejtësisë.
Vendin vakant të nënkryetarit të KLD-së, Eduard Halimi e sheh ndër detyrat e para të Presidentit të ri Nishani. Duke e konsideruar një eufori të panevojshme tentativën e Presidentit Topi për të zgjedhur menjëherë pasardhësin e Kreshnik Spahiut, Halimi vlerëson se e gjithë kjo po e çonte institucionin në rrjedhën e debatit dhe konfliktit, gjë së s’duhet të ndodhë.
Së fundi ai u shpreh se si Presidentin e ri ashtu edhe nënkryetarin e KLD i pret një pune e madhe, pasi sipas tij, janë një sërë çështjesh të mbetura pezull prej kohësh.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›