“Edi Rama të çlirohet nga komplekset e tij dhe të përshëndesë anëtarësimin në NATO”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u përgjigjet pretendimeve të opozitës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, i rikërkoi kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë seancës së djeshme që të përshëndesë miratimin nga parlamenti, pak ditë më parë, të paketës ligjore të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duke iu përgjigjur kritikave të të majtëve ndaj saj, lidhur me kontributin e opozitës në këtë proces, kryeparlamentarja tha se “pas katër ditësh Shqipëria në Strasburg bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ajo do të ulet në tryezë me aktorët dhe faktorët më të mëdhenj ekonomikë dhe politikë globalë. Padyshim, që kjo rrugë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, por përpjekjet tona kanë qenë titanike. Kërkojini kryetarit tuaj, Edi Rama, vetëm një gjë: ta përshëndesë Paketën e anëtarësimit në NATO”, deklaroi Topalli. Gjatë fjalës së tij deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kritikuar kryeparlamentaren Topalli duke theksuar se ka hedhur baltë mbi çështjen e bashkëpunimit, për arritjen e madhe të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Balla e ka cilësuar si të pamundur integrimin në Aleancë, pa angazhimin e opozitës për dialog dhe konsensus.
“Mos na mohoni te drejtën e kontributit tonë të pazëvendësueshëm, pasi ky është detyrimi ynë moral dhe politik. Ne jemi këtu për ti shërbyer shqiptarëve, sot në opozitë dhe në qeveri”, theksoi Balla.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëvendëskryeministrit, Genc Pollo që hodhi poshtë akuzat e deputetit socialist, duke theksuar se “Shqipëria në NATO” është meritë politike ku nuk ka munguar kontributi i opozitës. Pollo deklaroi se qeveria çmon kontributin e opozitës.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mirat e viteve të fundit.