Xhaferri: Zgjedhjet për kreun e demokratëve në Tiranë nuk do të shtyhen
Brenda gjysmës së dytë të muaj prill pritet të zgjidhet edhe kreu i Partisë Demokratike të Tiranës. Gjashtë muaj pasi ka nisur fushata elektorale për këtë post procesi po shkon drejt fundit. Partia Demokratike po përshpejton hapat për përmbylljen e procesit zgjedhor në strukturat e saj dhe brenda muajit prill do të zgjidhet edhe kryetari i kësaj force politike për Tiranën. Sekretari i porsazgjedhur për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Ferdinand Xhaferri konfirmon faktin në fjalë ndërsa e vlerëson procesin e përzgjedhjes së kandidaturave si transparent. “Procesi pothuajse ka mbaruar në mbi 90 për qind të degëve dhe unë mendoj që deri nga mezi i muajit prill mund të përfundojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Procesi ka përfunduar në shumë degë të rëndësishme si dega e Partisë Demokratike në Dibër, Durrës, Vlorë, Korçe dhe Berat. Tirana është një traditë në Partinë Demokratike që gjithmonë lihet për në fund konferenca e Tiranës”, bëri të ditur Ferdinand Xhaferri, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në PD.
...