Presidenca e BE-së: Shqipëria të aplikojë para mbajtjes së zgjedhjeve të 28 qershorit
TIRANE - Çekia, vendi që mban presidencën e radhës së BE-së konfirmoi zyrtarisht se pavarësisht, kur qeveria shqiptare do të aplikojë për statusin e vendit kandidat, përgjigja do të vijë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë një interviste, ambasadorja e Çekisë në Tiranë, Marketa Filkova përforcon qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga Ministri i Jashtëm çek në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të Unionit. Sipas saj, qeveria mund të aplikojë kur të dojë, por përgjigja do të vijë ose pas zgjedhjeve elektorale ose pas Progres-Raportit të Bashkimit Evropian, i cili do të publikohet në tetor. Gjatë intervistës ambasadorja vijon më tej deklaratën duke u shprehur se “është zgjedhje dhe përgjegjësi e qeverisë se kur duhet të aplikojë. Problemi që shtrohet është çështja e datës. Në fund të fundit të bëhesh vend anëtar është çështje vitesh. Shqipërisë i duhet të përmbushë shumë detyrime derisa të bëhet anëtare dhe për këtë i duhet kohë”. Një ditë më parë zv/ministri i Integrimit Albert Gajo u shpreh se qeveria do të aplikojë në fund të majit, për statusin e vendit kandidat. Ndërkohë që të gjithë ndërkombëtarët janë deklaruar njëzëri, se kur bëhet fjalë për aplikimin, ky është një hap që duhet hedhur pas zgjedhjeve.
...