Shpërndahen në Vlorë letërnjoftimet e para elektrtonike
Në qytetin e Vlorës janë shpëndarë sot 200 letërnjoftimet e para elektronike, ndërkohë që janë prodhuar 6200 të tilla që do të tërhiqen nga qytetarët në ditët në vazhdim. "Procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit në njësitë e qeverisjes vendore në rrethin e Vlorës po ecën me ritme të kënaqshme. Deri tani, kanë aplikuar 12 mijë qytetarë, ndërkohë që kërkesat janë të larta", tha Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili pas dorëzimit në mënyrë simbolike të kartave të identetit për disa qytetarë, në mjediset e zyrës përkatëse në bashki. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat që në këtë proces të jenë të favorizuar ata persona që nuk disponojnë pasaportat ndërkombëtare. Deri tani, në rrethin e Vlorës janë kryer rreth 12 mijë aplikime për letërnjoftime elektronike (mbi 85% në Bashkinë e Vlorës). Procesi ka nisur dhe në bashkitë e Himarës e Orikumit dhe në komunat Qendër e Novoselë, ndërkohë që brenda pak ditësh ai do të shtrihet në bashkinë e Selenicës, komunat Shushicë, Armen, Vllahinë, Brataj, Sevaster, Horë-Vranisht, ku janë instaluar aparaturat. Pajisja e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike përbën një nga sfidat e qeverisë shqiptare, në kuadrin e përmbushjes së angazhimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe integrimit Europian. Kartat e identitetit janë konsideruar dhe si një garanci për zgjedhje të ndershme në procesin e 28 qershorit.
...