E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama të japë llogari sa ka shpenzuar për ‘Natën e Bardhë’ dhe festën me zjarre në Pezë”

26-09-2012 / Gazeta 55

Akuzat e PS për reklamat - reagon sërish Ministria e Integrimit
 
Ministria e Integrimit reagoi dje sërish lidhur me akuzat e socialistëve përmes Eduard Shalsit, për sa i përket fushatës informuese lidhur me heqjen e regjimit të vizave, spote që janë transmetuar në media.
Në një deklaratë për mediat, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja sqaroi se 3 televizionet kombëtare TVSH, Klan TV dhe Top Channel kanë transmetuar, në mënyrë të barabartë, nga 70 herë secili spotin televiziv të prokuruar, lidhur me këtë proces. “Dita kombëtare e rinisë që përmbysi komunizmin në këtë vend dhe i hapi rrugë realizimit të ëndrrës ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ dhe festimi i ditës ‘Pa viza në Europë’, janë zbatuar nga Ministria jonë sipas procedurave ligjore. Asnjë prej 3 mediave televizive kombëtare, të cilat kanë përcjellë nëpërmjet spoteve televizive mesazhet e rëndësishme të këtyre dy datave, nuk është diskriminuar”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka konfirmuar shpërndarjen korrekte dhe përdorimin efektiv të fondeve buxhetore për dy eventet, për të cilat gënjen kreu socialist dhe deputeti i tij Shalsi.
“Edi Rama dhe Shalsi do të ishte mire të tregonin me dokumente, sa ata kanë respektuar ligjin në shpërndarjen e reklamave të bashkisë, institucion që Rama e drejtoi për 11 vjet. Sa ka shpenzuar për reklamat dhe eventet për netët e bardha në Tiranë, apo festën me zjarre në Pezë? Sa evente artistike ka realizuar pasi rriti e shtoi taksat ndaj biznesit?”, theksoi sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja.
Më tej, ajo shtoi se Ministria e Integrimit është e angazhuar tërësisht në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit.
“Krenarë qe kemi kontribuar për arritjen më të madhe të shqiptarëve: lëvizjen e lirë në Evropë, dhe po kështu po punojmë intensivisht për një tjetër sfidë: marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë frymë do të donim të ishte me ne dhe opozita. Por nëse Rama ka vendosur ta ktheje foltoren e partisë së tij në foltore tellallësh mashtrues, ju siguroj që foltorja jonë do të jetë gjithnjë institucionale dhe në luftë me disinformimin dhe hedhjen baltë që Edi Rama vazhdon t’u bëjë institucioneve shqiptare”, përfundoi ajo.
Prej ditësh tashmë, deputeti socialist Eduard Shalsi, ka bërë dalje periodike në media duke akuzuar qeverinë dhe ministritë se kanë bërë një ndarje të zhdrejtë, përsa i përket spoteve informuese të shpërndara në media, duke shpenzuar dhe shuma të konsiderueshme për realizimin e tyre. Për qeverinë dhe ministritë e akuzuara prej selisë rozë, ky aksion i Ramës dhe Shalsit, ka për qëllim vetëm mashtrimin e qytetarëve dhe spekulimin me fakte të paqena.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›