E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ina Rama u përdor politikisht - mandati i saj 5 vjeçar, s’duhet të kapërcehet as 5 ditë”

26-09-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit komenton aktualitetin politik dhe sfidat e reformës në sistemin e drejtësisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje se organi i akuzës ra pre e ndikimeve politike, duke cenuar ligjin dhe kushtetutën. E ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Topalli akuzoi kryeprokuroren Ina Rama se u përdor politikisht përpara zgjedhjeve të 2009-s. “Do kisha dash një njeri me integritet, që i qëndron ligjit dhe vetëm ligjit. Duhet të jem realiste një të tillë nuk do ta gjejmë. Por një njeri që ka një CV të pranueshme do ta votoja, siç kam votuar dhe zonjën Rama. Ajo u përdor politikisht përpara zgjedhjeve të 2009-ës. Prokurori duhet t’i qëndrojë ligjit dhe vetëm ligjit”, tha Topalli.
E pyetur në lidhje me mandatin e kryeprokurores Rama, Topalli theksoi se Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë, se mandati është 5-vjeçar dhe nuk duhet të kapërcehet asnjë ditë më shumë. “Mandati është 5-vjeçar, këtu mbyllet. 5 vjet e 5 ditë e ka kapërcyer, mirë është të mos e kapërcejë dhe të jemi korrekte. Këtë thotë Kushtetuta. Kjo nuk është çështje e imja, por e presidentit”, tha Topalli, duke nënvizuar se tashmë është momenti për reflektim në sistemin e Prokurorisë.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka komentuar zgjedhjen e Presidentit të ri, Bujar Nishani, ndërsa ka lënë të kuptohet se ka refuzuar të jetë në listën e PD, për këtë post, edhe pse emri i saj është lakuar shpesh.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se opozita ishte ajo që trembej, nga emri i saj. “Pse ishin kaq të trembur nga emri im, mund t’ia bëni opozitës këtë pyetje, nga mazhoranca nuk kam ndjerë trembje”, shtoi ajo.
 
Sistemi i drejtësisë në ditët më të vështira
Kryetarja e Kuvendit theksoi se sistemi i drejtësisë është në ditët më të vështira, dhe sipas saj, reforma në drejtësi kërkon vullnet dhe bashkëpunim mes dy palëve. “Nuk e zgjidh problemin as Gjykata e Lartë, as ajo Administrative, por është pjesë e një platforme, e një reforme të madhe. Është e vështirë, por nuk është e pamundur. Kërkon vullnet dhe bashkëpunim mes dy palëve”, tha ajo.
Sipas kryeparlamentares, në bazë të marrëveshjes së nëntorit mes mazhorancës dhe opozitës, janë pranuar të gjitha amendamentet e PS-së, por nuk mund të miratohet kërkesa për votimin e hapur të dekreteve në Kuvend, pasi dekreti në Kushtetutë është normë. Duke përmendur vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj,a jo akuzoi ish-presidentin Topi dhe ish-nënkryetarin e KLD-së Spahiu për shitjen e dekreteve, duke theksuar se “në Shqipëri njerëzit vriten rrugëve për shkak të dekreteve që shiten”.
Topalli u shpreh ndër të tjera se, “sa ishte Bamir Topi opozita nuk foli asnjëherë se kishte probleme në sistemin e drejtësisë”.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›