Fakti/Andis Harasani, deputeti i 5-të që ikën nga grupi parlamentar i PS
Deputeti socialist, Andis Harasani largohet nga grupi parlamentar Partisë Socialiste. Një fakt i tillë u bë i ditur nga kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së radhës së këtij grupimi. Sipas tij, Harasani largohet për arsye personale dhe për këtë arsye kërkoi që largimi i tij të mos trajtohet për arsye politike. Ndërkohë që duke mirëkuptuar një vendim të deputetit Harasani, Rama deklaroi se pranon një largim të tillë, pasi vjen pikërisht për arsye personale. Ndonëse e njoftoi në fund, kryetari socialist Edi Rama bëri lajm tek sa deklaroi se deputeti socialist Andis Harasani, largohet nga grupi socialist, duke përmendur se shkak për këtë janë arsyet e tij personale.
Më pas, vetë Andis Harasani ka deklaruar se do të dorëzojë mandatin si deputet, por se do të vazhdojë të mbështesë politikisht Partinë Socialiste. Andis Harasani, largohet nga grupi socialist, duke u bërë në këtë mënyrë deputeti i pestë që braktis Partinë Socialiste. Pas Shpëtim Idrizit, Vangjel Tavos, Rudina Seserit dhe të përjashtuarit Kastriot Islami, tashmë deputeti Andis Harasani nuk do të jetë më pjesë e opozitës në zgjedhjet e 2013. Në një sqarim të tijin në “Facebook”, Harasani ka falenderuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërsa ka deklaruar se do të dorëzojë mandatin si deputet. Harasani thotë se “duke i uruar Kryetarit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë socialistë punë të mbarë dhe suksese në këtë fazë finale të betejës tonë të përbashkët për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Rilindje të Re, dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme”.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, vendin e Harasanit, si përfaqësues i PS-së në Kuvend, do të jetë pasuesi në listë, Auron Tare.