E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riformatimi i anëtarëve të KQZ-së/PD dhe PS propozojnë emrat

26-09-2012 / Gazeta 55

PD rikonfirmon Vera Shtjefnin dhe Hysen Osmanajn. E pakënaqur duket PS me trupën e saj pranë KQZ-së, teksa ka zëvendësuar Dëshira Subashin dhe Artan Lazen me Denar Bibën dhe Albana Shtyllën  


Demokratët dhe socialistët kanë përzgjedhur 4 anëtarët e tyre për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilëve iu shtohen edhe dy propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Emrat që do të votohen në seancë plenare nuk ndryshojnë përfaqësimin e PD në KQZ, ata janë anëtarët aktualë, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Ndërsa Partia Socialiste heq Dëshira Subashin dhe Artan Lazen, duke çuar dy emra të rinj Denar Bibën dhe Albana Shtyllën. Denar Biba është këshilltar pranë Gjykatës së Lartë, ndërsa më parë ka mbajtur të njëjtin pozicion pranë Gjykatës Kushtetuese. Albana Shtylla, prej shkurtit të këtij viti, është shefe e kabinetit të Avokatit të Popullit. Për të përmbyllur skemën e re të KQZ-së, mbetet propozimi i anëtarit nga PBDNJ-së, që sipas burimeve pranë kësaj partie do të kryhet ditën e mërkurë. PS dhe PD kanë të drejtë të propozojnë secila nga dy anëtarë në KQZ, ndërsa dy anëtarët e tjerë (njëra nga secila parti) do të dalin nga PBDNJ-ja si forca e dytë e koalicionit opozitar dhe LSI-ja, si forca e dytë e koalicionit qeverisës. “Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të opozitës”, thuhet në germën “ç” të nenit 14 të Kodit. Kodi i ri Zgjedhor përcaktoi zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KQZ brenda 15 shtatorit, por afati u shkel me konsensus nga dy partitë e mëdha. Pas zgjedhjes se anëtareve brenda 10 ditësh do të zgjidhet kryetari i ri i KQZ-së, që do të zëvendësojë në këtë detyrë, Arben Ristanin.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›