E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama të mos bëjë diversion”me të përndjekurit”

Shoqata e ish-të përndjekurve politikë demokratë të Shqipërisë reagon ndaj provokimeve të kryesocialistit

Përfaqësuesit e shoqatave të ish të përndjekurve të regjimit komunist, përcjellin me shqetësim tendencën provokative të Partisë Socialiste, me futjen e çështjes së tyre në programin e saj politik.
Shoqata e ish të përndjekurve politik demokrat të Shqipërisë, përmes kryetarit Skënder Qendro, u shpreh se e majta shqiptare e kryesuar nga PS, po përpiqet të bëjë diversion në radhët e shtresës së ish të përndjekurve.
Qendro thotë se ish të përndjekur nuk i bashkon asgjë me të majtën shqiptare dhe se ka qenë ky krah që i ka luftuar për 45 vite me radhë. Shoqatat e ish të përndjekurve politik i bëjnë thirrje Edi Ramës të distancohet nga krimet e komunizmit njëherazi të kërkojë falje për politikën e diskriminimit që ka aplikuar ndaj ish të përndjekurve politik në këto 20 vite të pluralizmit.
“Ne ish të përndjekurit politik nuk na bashkon asgjë me të majtën ish komuniste edhe për faktin e dhimbshëm se ne jemi persekutuar, burgosur internuar, pushkatuar nga Partia komuniste trashëgimtare e të cilës është sot PS dhe e majta ish komuniste. E majta ish komuniste në Shqipëri, nuk është distancuar dhe akoma nuk ka kërkuar falje për krimet barbare në regjimin komunist që nuk kanë shembull tjetër në të gjithë Europën ish-komuniste. Akoma mijëra ish të përndjekur po kërkojnë në këto 20 vite të Shqipërisë post komuniste, varret e të afërmve të tyre dhe nuk po i gjejnë.
Në të gjitha rastet kur në Parlament është diskutuar për votimin e Ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe Ligjin për hapjen e dosjeve të ish sigurimit komunist, deputet e të majtës ish komuniste janë treguar shumë armiqësore me shtresën tonë dhe janë larguar nga salla e Parlamentit”, u shpreh Qendro.
Ish të përndjekurit politik të Shqipërisë, thonë se realizimin e aspiratave të tyre për demokraci, për të cilën kanë sakrifikuar jetën, rininë, e gjejnë veten tek mazhoranca e djathtë me PD dhe me Kryeministër Sali Berishën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›