Raporti i KE-së për vizat: Shqipëria progres të admirueshëm, në “Schengen” brenda vitit

Shqipëria ka plotësuar kriteret e Komisionit Evropian porsa i takon liberalizimit të vizave. Kështu thuhet në raportin final të KE-së i cili pritet të diskutohet të martën e ardhshme në një seancë të posaçme në Bruksel të Komitetit për të Drejtat Civile, Drejtësinë në Parlamentin Europian.
Mësohet se misioni i vlerësimit që ishte në Shqipëri muajin e kaluar, i cili ndoqi në terren të gjitha pikat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ka përpiluar raportin në bazë të një vlerësimi korrekt dhe pasqyrimin e të vërtetës, të cilën ata vërejtën në vendin tonë. Dhe kjo, jo rastësisht, pasi grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, është shprehur me nota optimiste përsa i takon një vlerësimi pozitiv nga ana e autoriteteve evropiane. Liberalizimi i vizave për Shqipërinë, ka marrë një mbështetje të gjërë në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Eurodeputetë të shteteve të ndryshme anëtare të BE-së kanë shprehur verdiktin e tyre mbi përfshirjen e Shqipërisë në listën e bardhë të “Schengenit”, brenda afateve të premtuara, aq më tepër në kushtet kur raportet e misioneve të vlerësimit flasin për një progres të prekshëm dhe tejet të bindshëm për Brukselin. Në raportin e përpiluar, i cili tashmë ka marrë edhe dorën e fundit, për të qenë i gatshëm në diskutimet e Komitetit për të Drejtat Civile dhe Drejtësinë në Parlamentin Europian, bëhet një listim i të gjitha arritjeve dhe krahasimi i progresit të Shqipërisë me Bosnje Hercegovinën. Aty vërehet një përparësi e ndjeshme e Shqipërisë ndaj Bosnjes, në disa elementë teknike tejet të rëndësishëm.
Shqipëria ka lëshuar plot 490 mijë pasaporta biometrike dhe se kanë aplikuar mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Nga ana tjetër, Bosnja është shumë larg pragut të vendosur nga Komisioni Evropian. Autoritet bosnjake kanë raportuar për shpërndarjen e vetëm 114 mijë pasaportave të reja, sipas standardeve evropiane. Raporti flet se pasaportat e Shqipërisë janë certifikuar si më të sigurtat pasi përmbajnë elementët më të rëndësishëm të sigurisë.
Lidhur me bllokun e kontrollit të kufijve, në raport thuhet se në Shqipëri funksionon në të gjitha pikat e kalimit sistemi TIMS, ndërsa Bosnja ende nuk e ka aplikuar një procedurë të tillë. Lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni, Shqipëria raporton për një përparim të theksuar në këtë aspekt, çka është vlerësuar edhe nga Brukseli, ndërsa Bosnje Hercegovina, nuk ka asnjë të dhënë lidhur me këtë fakt.
Autoritetet boshnjake janë kritikuar vazhdimisht nga Brukseli, për mungesë vullneti në procesin e integrimit, duke paralajmëruar zgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave. Kritika më e fundit ka ardhur dje nga eurodeputeti slloven Jelko Kaçin, i cili ka deklaruar se boshnjakët mund të mos përfitojnë liberalizimin e vizave. Sipas tij, Bosnja nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetjen e duhur. Por, penalizmi i Bosnjës nuk rrezikon pajisjen e shqiptarëve me viza “Schengen”. Shqipëria do të vlerësohet në bazë të meritës dhe jo në grup.
Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësinë në Parlamentin Europian, do të diskutojë të martën e ardhshme mbi raportin e ekspertëve të Komisionit Evropian, për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Vendet anëtare të BE-së pritet të japin një vendim final për këtë çështje në takimin me krerët e Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, më 2 qershor.