“Mediat dështojnë kur keqpërdoren dhe vihen në shërbim të qarqeve politike”
Kryeministri Slai Berisha, sfidon në mënyrë të përsëritur Edi Ramën, e fton në debat televiziv
Ironia e kryeministrit: Pranova ftesën për të diskutuar në këtë forum dhe jo për ndonjë “Tango”
Kryeministri Sali Berisha sfidoi dje kryesocialistin Edi Rama, për një debat të drejtpërdrejtë televiziv. Gjatë punimeve të Forumit të Medias, kryeministri Berisha mbajti një fjalë përshëndetës, duke u fokusuar te stadi aktual i tyre dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm. Berisha konsideroi si të domosdoshme pavarësinë e medieve, duke u zotuar kështu se qeveria ka garantuar lirinë dhe pavarësinë e medias.
“Qeveria ime garanton lirinë e medias. Kjo qeveri do të respektojë fuqimisht pavarësinë e tyre. Mediat që humbasin pavarësinë dështojnë. Qeveria ime ka ndaluar çdo akt padie ndaj medieve dhe gazetarëve”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i qeverisë replikoi me kryesocialistin, duke e sfiduar këtë të fundit për tu përballur në çdo debat.
“Dua t’i them dy fjalë për të mbyllur këtë ekspoze zotit Rama. Nuk ka gjë më të trishtuar, thotë Dante Alighieri, se të kujtosh kohërat lumtura në hidhërim. Por për ne politikanët nuk ka gjë më të trishtuar se të lexojmë dhe të besojmë raportet e vartësve tanë. Pasi na lexove këtu një raport të Ditmir Bushatit, e them këtë për hir të transparencës mediatike, i cili për hir të vërtetës atakon në atë raport në mënyrën më thelbësore kryetarin e tij Edi Rama, për lejet e ndërtimit. Por unë mendoj që këto çështje nuk duhet të jenë probleme të forumeve të tilla. I nderuar zotëri unë jam kryeministri i vendit, ju jeni kryetari i Partisë Socialiste. Unë jam i gatshëm të përballem me ty, në çdo debat televiziv të moderuar kudo dhe për çdo çështje, për mediat, jo mediat, dhe çfarë t’u interesojnë. Respekti im për opozitën është i palëkundur, por ne duhet të ruhemi edhe nga bashkëpunëtorët të cilët i shkelin rregullat”, u shpreh kryeministri Berisha.
Por, pavarësisht angazhimit të kreut të qeverisë për një përballje të drejtpërdrejtë mediatike me liderin e opozitës, Edi Rama, ky i fundit nuk dha asnjë koment, përveç disa frazave qesharake çka i rritën edhe më tepër adrenalinën e turpit, pas asaj të dy netëve më parë në një show mediatik.
Lidhur me një fakt të tillë, kryeministri Berisha përcolli me ironi prezencat e Ramës në kërcimet e tangos.
“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, jam sot këtu të falënderoj organizatorët e këtij takimi dhe nuk dua ta fsheh se prania e kundërshtarëve të mi në këtë takim ishte një shtysë e fuqishme për mua që të marr pjesë. I tillë është shpirti i mediave e tillë është fjala e lirë, i tillë është detyrimi i qëndrimit ndaj saj. Ju garantoj se po të më ftonit për tango nuk do të isha sot këtu, për diversitetin e mendimit në çdo rast”- tha Berisha.
Në vijim, Berisha foli edhe për keqpërdorimin e medieve, duke cilësuar se kjo nënkupton humbjen e pavarësisë dhe lirisë së tyre, aksion i cili i çon mediat drejt dështimit.
“Kanë dështuar dhe dështojnë mediat që humbasin pavarësinë; kanë dështuar politikanë që bëhen medio-dipendent. Ky është parimi i pandryshueshëm i imi. Bazuar mbi këtë parim unë ju garantoj se qeveria mbetet thellësisht e vendosur, të respektojë mediat, por edhe të ruajë pavarësinë. Si politikan unë i njoh vetes detyrimin e ruajtjes së pavarësisë prej tyre se këto janë pushtete të pavarura, që nga themelimi dhe krijimi i tyre. Dy gjëra mund të spikasin si unike të cilat nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër ë Evropë. Administrata ime, qeveria ime në përputhje me një premtim elektoral ka ndaluar tërësisht çdo lloj padie civile apo penale ndaj medieve”, deklaroi më tej, Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi më tej se qeveria ngelet e vendosur të respektojë lirinë e mediave.