E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca duhet të vijojë politikën e dyerve të hapura”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta deklaron në Ministerialin e NATO-s

Në seancën për Bosnje Hercegovinën gjatë Ministerialit të NATO-s në Estoni, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, u shpreh se pas anëtarësimit të Shqipërisë, Aleanca ka ende një punë të papërfunduar në rajon.
“Përqasja e NATO-s në rajonin tonë ka qenë një histori suksesi, por ne mbetemi të mendimit se NATO ka ende një punë ‘të papërfunduar’ në rajon. Ne vlerësojmë faktin që në takimin tonë të Ministrave të Jashtëm në dhjetor kemi ftuar Malin e Zi për t’u bashkuar me Planin e Veprimit për Anëtarësim dhe afirmuam mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Bosnje-Hercegovinës në PVA (MAP)”, tha Meta.
Sipas tij, ftesa për përfshirjen e Bosnje-Hercegovinës në Planin e Veprimit për Anëtarësim, do të shërbejë jo vetëm si frymëzim i brendshëm për përparim dhe reforma të mëtejshme në fushat politike dhe të mbrojtjes, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.
“është bindja jonë e fortë se Bosnje-Hercegovina duhet të ftohet të jetë pjesë e MAP-it gjatë këtij Ministeriali, dhe ne pajtohemi plotësisht me tezën e cila bën thirrje për të shfrytëzuar momentin dhe të ftojmë Bosnje-Hercegovinën në këtë Plan”, deklaroi më tej, Meta.
Në fjalën e tij gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuese në operacionin ISAF në Afganistan, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për Afganistanin. Meta u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuese në kuadër të ISAF (aktualisht 46), si tregues i qartë i angazhimit në Afganistan, që nuk ka për qëllim sigurinë e Aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të të gjithë komunitetit të vendeve demokratike.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta theksoi shtimin e konsiderueshëm të kontributit të Shqipërisë me trupa gjatë vitit 2009, angazhimet për vitin 2010, si dhe kontributin e vendit tonë në kuadër të përqasjes gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar rëndësinë e komponentit civil mjekësor dhe asistencës në fushën e arsimimit.
Ministri Meta ka shtuar më tej se suksesi në Afganistan kërkon një kombinim të zgjidhjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, të cilat duhet të ndiqen në paralel.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›