Parisi, Vjena dhe Bratislava, mbështesin lëvizjen e lirë të shqiptarëve
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, lobim të fuqishëm për liberalizimin e vizave
Shqipëria po realizon detyrimet e saj përballë autoriteteve të Brukselit dhe se për vënien në jetë të projektit të integrimit, është i domosdoshëm mbështetja e vendeve anëtare të Unionit. Kjo ka qenë tematika e bisedimeve të Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta, gjatë vizitave të fundit në Austri dhe Sllovaki.
Lobimi i kryediplomatit shqiptar në procesin e integrimit, ka qenë një dinamikë specifike për sa i takon liberalizimit të vizave. Vjena dhe Bratislava janë shprehur ‘pro’ liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe njëkohësisht kanë premtuar mbështetjen e tyre në këtë aspekt. Kësisoj, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, gjatë tre ditëve me radhë ka realizuar takime të rëndësishme me disa prej shefave të diplomacisë së Bashkimit Evropian, ku prej të cilëve ka marrë mbështetje të plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, pas takimeve me homologun e tij austriak dhe atë sllovak, është takuar dje me kryediplomatin francez, Bernard Kushner. Gjatë pjesëmarrjes në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Talin të Estonisë, shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kushner.
Gjatë takimi është diskutuar për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë si dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Mbështesim heqjen e vizave. Mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kushner gjatë takimit me Metën.
Edhe më parë, ministri i Jashtëm francez ka shprehur mbështetjen e tij të hapur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe ato të Bosnjës, me anë të një shkrimi të publikuar në mediat franceze. Franca është konfirmuar tashmë si një aleate e Shqipërisë në sfidat e integrimit evropian.