E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria mund të aplikojë votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme”

Deklaron kreu i KQZ-së Arben Ristani

Pas aprovimit nga ana e ekspertëve të zgjedhjeve, kërkohet angazhimi i forcave politike

Votimi i elektronik është më se i zbatueshëm në Shqipëri. Kreu i KQZ-së Arben Ristani deklaron se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të aplikuar votimin elektronik, për zgjedhjet lokale të vitit 2011-ë. Në kuadër të një propozimi shumë konkret, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë ecejakeve me kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për administrimin e votës, shprehet i bindur se vendi i ka të gjitha mundësitë, për të realizuar votimin elektronik.
“Edhe në zgjedhjet që kaluam ne përdorëm një teknologji shumë të përparuar, porsa i takon fotografimit elektronik të votës dhe hedhjen e të dhënave në sistem në kohë rekord. Votimi elektronik është plotësisht i mundur. Mund të bëhet nëpërmjet vendosjes së makinerive në qendrat e votimit bashkë me ekranet ku do të klikohet për votimin. Teknologjia, mendoj se mund t’i takojë zgjedhjeve të ardhshme. Mendoj se do ta besojmë 100 për qind nëse do jemi të pirur për ta mbështetur 100%”.
Ekspertët e zgjedhjeve e ka vlerësuar këtë proces si plotësisht të realizueshëm.
Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, kjo mënyrë votimi është plotësisht e realizueshme në Shqipëri, ndërsa siguron edhe transparencë të plotë të zgjedhjeve.
Por për këtë, shton ai, nevojitet një konsensus dhe jo paragjykim politik mes palëve.
“Një angazhim institucional i partive politike, e bën plotësisht të mundur zbatimin e kësaj eksperience vitin e ardhshëm. Edhe njëherë theksoj se duhet të jemi jashtë paragjykimit, pasi është më i nevojshëm konsensusi i palëve”, tha më tej, Ristani.
Për ekspertët e zgjedhjeve shtrirja e procesit të votimit sipas teknologjisë më moderne, e cila aplikohet masivisht në Estoni, vendi nga i cili vjen edhe eksperienca, do ishte një nga arritjet më të mëdha për vendin dhe njëherazi do të shënonte ndërgjegjësimin e klasës politike lidhur me performancën e tyre në elektorat, duke u dhënë fund kështu aludimeve të ndryshme për korrektësinë e zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›