“Edi Rama të reflektojë për projektbuxhetin,të jetë transparent me taksat e qytetarëve

Ilir Meta nga Lezha ripërsërit akuzat për kryebashkiakun e Tiranës
TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzoi edhe njëherë bashkinë e Tiranës për mungesë transparence në hartimin e buxhetit të vitit 2009.
Nga Lezha, ku mori pjesë në ceremonitë me rastin e 565-vjetorit të Kuvendit të Lezhës, Meta e krahasoi dje mënyrën e hartimit të këtij buxheti me atë të bashkisë së Lezhës, e cila drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Mendoj se kjo kërkon një reflektim të të gjithëve dhe mbi të gjitha transparencë për taksat e qytetarëve atje. Nuk besoj se ju keni probleme këtu siç e dini, kryetari i bashkisë së Lezhës është transparent me të gjithë këshilltarët”, deklaroi ai.
Buxheti i bashkisë së Tiranës hapi debate të forta, pasi këshilltarët demokratë dhe ata të LSI–së e rrëzuan atë disa herë për mungesë transparence. Por pavarësisht se kaloi në mbledhjen e fundit, mes një amullie të krijuar gjatë numërimit të votës, ai u rikthye sërish në këshill nga prefekti Ruzhdi Keçi, nën argumentin se janë konstatuar shkelje ligjore. Vetëm një ditë më parë Partia Demokratike ka deklaruar përmes zëdhënësit të saj Gerti Bogdani se arsyeja kryesore e dështimeve të njëpasnjëshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, është këmbëngulja e këtij të fundit për të miratuar në Këshillin Bashkiak, një buxhet me të cilin përcaktohen fonde pa destinacion dhe pa projekte konkrete, por i draftuar në mënyrë klienteliste, ku i vetmi destinacion janë 14 milionë eurot, të cilat synohen të shpërdorohen përgjatë fushatës së ardhshme zgjedhore.
Më tej duke përshëndetur këtë datë historike të Kuvendit të princave shqiptarë, Meta tha se ajo është një ngjarje historike, e cila ka vlerë jo vetëm që të kujtohet me nderim dhe madhështi, por nga e cila duhet gjithnjë të nxirren mësime të cilat duhet të reflektohen në angazhimin e gjithë shqiptarëve dhe sidomos të politikanëve për t’i shërbyer qëllimeve më të mëdha kombëtare.
“Atyre qëllimeve që përbashkojnë aspiratat e kombit tonë, jo vetëm për të qenë të integruar dhe të bashkuar, por edhe për të pasur gjithnjë një të ardhme me dinjitetet, një të ardhme e cila qëndron fortë mbi lirinë, sepse për këtë të ardhme luftoi edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu”, deklaroi Meta.