“Pastroni nga radhët tuaja, elementët e korruptuar!”

Ambasadori i SHBA-ve John Withers, mesazh për gjyqtarët shqiptarë
Ambasadori amerikan ka vlerësuar se KLD ka një përgjegjësi të madhe, për të emëruar gjyqtarët në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe, së bashku me vetë gjyqtarët, të sigurohet që sistemi gjyqësor do mbahet i pastër prej gjyqtarëve të pandershëm, të korruptuar, apo joetikë
TIRANE - Ambasadori Amerikan në Tiranë John Withers ka kërkuar dje ndaj përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, për pastrimin nga të korruptuarit, ndërsa ka apeluar që në punën e tyre të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, duke mos u influencuar aspak nga politika e ditës.
I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ambasadori amerikan ka vlerësuar KLD-në, si ky institucion “ka një përgjegjësi të madhe, për të emëruar gjyqtarët në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe, së bashku me vetë gjyqtarët, të sigurohet që sistemi gjyqësor do mbahet i pastër prej gjyqtarëve të pandershëm, të korruptuar, apo joetikë”.
Për këtë ai ftoi gjyqtarët që të çlirojnë sistemin nga përfaqësuesit e korruptuar.
“Për ta përmbushur detyrën tuaj të madhe, duhet të keni kurajë të madhe, kurajë për t’u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira bazuar vetëm mbi ligjin dhe provat dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kurajë për të çrrënjosur korrupsionin në radhët tuaja. Por, përveç të gjitha këtyre, ju duhet të keni edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t’i bërë këto korrigjime brenda radhëve tuaja pa lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike. Është me rëndësi të jashtëzakonshme që të mos shihet si i korruptuar sistemi i gjykatave, por vetëm ata individë, vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave, dhe varet nga ju që ta ruani këtë dallim me anë të autoritetit që keni”, u shpreh më tej Ambasadori Withers.
Ai ka cituar edhe raportin e Departamentit Amerikan në Shqipëri duke deklaruar se gjykatat janë vendi ku tregohet gjendja e vërtetë e demokracisë në Shqipëri dhe se nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shoqëri demokratike, sesa një sistem drejtësie i lirë, i pavarur dhe i ndershëm.
Sipas tij shteti i së drejtës duhet ndërtuar tullë mbas tulle, por që i rëndësishëm mbetet fakti i ndarjes së pushteteve që është një nga përbërësit e demokracisë së një shteti.
Duke u ndalur sërish tek raporti i DASH, Ambasadori Withers theksoi se ky dokument përçon vetëm një mesazh ku theksi vihet mbi sundimin e ligjit në Shqipëri.