“Përfundojnë 150 mijë dosje të legalizimit, gati edhe tapitë”

Deputetët e PD-rikonfirmojnë gatishmërinë për dëmshpërblimin e të përndjekurve dhe pronarëve
TIRANE - Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi duke folur gjatë seancës së djeshme parlamentare për legalizimet, u shpreh se janë të përfunduar 150 mijë dosje që përfshihen në ligjin për legalizimet.
Sipas Ministrit të PPTT, mësohet se, “Shumë shpejt do jepen tapitë e para për banesat e legalizuara”.
Ministri Olldashi deklaroi se deri tashmë nuk ka pasur asnjë ankesë për sa i përket procesit të legalizimit. Duke iu referuar procesit të legalizimit ai kërkoi që të gjithë, “Ata persona që kanë kryer të gjithë procedurat, të bëjnë edhe pagesën në mënyrë që bëhet përfundimi i plotë i procesit”.
Në pjesën e parë të seancës së djeshme, ku deputetët diskutuan për probleme të ndryshme, mazhoranca rikonfirmoi gatishmërinë për të kompensuar të përndjekurit e regjimit komunist, si edhe pronarët.
Në këtë kontekst, deputeti i PD-së, Gjok Vuksani, në diskutimin e tij konfirmoi vendosmërinë e mazhorancës së djathtë për të mbështetur dy shtresat më të prekura nga diktatura komuniste, ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët.
“Është detyrim i mazhorancës që të vendosë pak drejtësi sociale, duke i mbështetur këto dy shtresa. Kjo do të konkretizohet me nisjen së shpejti të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit”, tha deputeti i PD-së.
Seancën e djeshme, Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj përgënjeshtroi akuzat dhe shtrembërimet e opozitës, lidhur me shifrat e vendimeve të përmbarimit që nuk janë zbatuar nga ana e Gjykatës.
Sipas Alibeajt, mësohet se janë depozituar 18.512 çështje në përmbarim dhe 90 për qind e tyre u kryen.
“Viti 2008 për zyrat e përmbarimit ka qenë i suksesshëm sepse tregon se shteti funksionon, që përmbarimi funksionon, dhe i jep dinjitet gjyqësor këtij vendi”, deklaroi Ministri Alibeaj.
Sipas tij, deputetja Ermelinda Meksi dha shifra të pasakta për çështjet e pazbatuara nga gjykata.