LSI depoziton kërkesën për mocion për debat me Kryeministrin Berisha

Kriza ekonomike
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar dje në kryesinë e Kuvendit kërkesën për mocion debati me kryeministrin Sali Berisha në lidhje me masat që janë marrë ose do të ndërmerren për minimizimin e efekteve negative nga kriza financiare botërore.
Kryetar i grupit parlamentar “E Majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, theksoi dje para mediave se kjo iniciativë është e ngritur mbi një shqetësim real që sipas tij lind nga
një qëndrim injorues i qeverisë dhe i Kryeministrit, ndaj asaj që ndodh sot në të gjithë botën e largme dhe afër Shqipërisë.
Në kërkesën zyrtare drejtuar kryetares së Kuvendit, thuhet veç të tjerash se kriza botërore ka filluar të ketë efekte të mëdha në gjendjen ekonomike të shqiptarëve, sidomos të shtresave më të pambrojtura të shoqërisë.
Duke komentuar kërkesën Xhufi deklaroi më tej se, për këtë arsye rekomandohet që qeveria të mendojë për programe të nxitjes së punësimit dhe të aprovojë lehtësira fiskale për biznesin që punëson. Gjithashtu kërkohet që qeveria të ndërhyjë në zonat urbane të pa legalizuara për të bërë legalizimin por dhe për të ndërhyrë me projekte punësimi e ndihmë ekonomike për familjet që nuk mund të përballojnë jetesën. Njëkohësisht kërkohet mbështetje për sistemin bankar dhe nxitje për të vazhduar kreditimin e ekonomisë.