Barroso: Zgjerimi i BE drejt Ballkanit, përgjigjia më e mirë për krizën ekonomike

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso u është kundërvënë ashpër kërkesave të disa vendeve anëtare për pezullimin e përkohshëm të zgjerimit të unionit. Sipas tij, vetë historia e BE-së ka treguar se zgjerimi i përshkallëzuar i saj drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor është përgjigja më e mirë ndaj krizës ekonomike dhe sfidave të globalizimit
TIRANE - Brukseli kërkon avancimin e mëtejshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian në kufijtë e vetë natyrë që janë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas komisionarit evropian për zgjerimin, Olli Rehn, dje ka qenë Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso ai që gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e vendeve anëtare të unionit mbledhur në Bruksel, në kuadër të masave që duhen ndërmarrë për përballimin e krizës globale financiare, mbrojti fort politikën e zgjerimit të BE-së, duke hedhur kështu poshtë zërat që e lidhin këtë proces me mundësinë e përparimit të krizës ekonomike. Duke iu referuar edhe 5 vjetorit të zgjerimit të dytë të madh të unionit me 10 vende në 2004 dhe 2 të tjera në vitin 2007, Barroso apeloi për unitet në përballimin e sfidës së madhe që Bashkimi Evropian por edhe pjesa tjetër e globit ka aktualisht përpara.
“Politikat e BE-së do të ndihmojnë vendet anëtare që të përballen me këto sfida duke garantuar një rikthim të shpejtë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ky është vërtetë një moment që kërkon forcimin e unitetit evropian. Duke qenë së bashku mund të fitojnë, nëse ndahemi të gjithë do të humbim. Dhe të gjithë atyre që e sulmojnë planin e zgjerimit të unionit duke menduar parandalimin e thellimit të integrimit evropian unë ju them: Shfletoni librat tuaj të historisë! Zgjerimi dhe thellimi i integrimi kanë shkuar përherë krahas njëra-tjetrës. Anëtarësimi i Britanisë së madhe, Irlandës dhe Danimarkës ishte thelbësor për krijimin e një tregu unik evropian. Kohezioni dhe politikat rajonale janë të lidhura me
2 zgjerimet e para mesdhetare. Monedha e përbashkët Euro e fitoi ekzistencën e saj me anë të ‘zgjerimit të heshtur’ të ribashkimit të Gjermanisë pasuar kjo nga hyrja në union e vendeve nordike dhe Austrisë. Për me tepër që prej zgjerimit të madh, ne kemi parë përparime të mëdha në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme si dhe hartimi i një tregu dhe politikave të përbashkëta energjetike, arritje këto që ishin të paimagjinueshme 10 vite të shkuara”, deklaroi Barroso dje në Bruksel.
“Fakti është se, vijoi më tej kreu i Komisionit Evropian, procesi i zgjerimit ka qenë përherë një mjet i fuqishëm për shpërndarjen e paqes, demokracisë dhe zhvillimit në çdo cep të kontinentit tonë. Si një portugez unë e di këtë. Po ashtu shumë prej jush e kanë mësuar prej eksperiencave të fundit. Ndaj zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet që të vazhdojë kur të vlerësohet si i përshtatshëm, duke marrë këtu parasysh leksionin e mësuar ndërkohë dhe duke u bazuar në rinovimin e konsensusit tonë për zgjerimin. Me fjalë të tjera, mjafton që BE ka kapacitete, ndërsa vendet kandidate aftësinë për të përmbushur kriteret e përcaktuara pa harruar këtu edhe një komunikim më të mirë për këtë çështje me qytetarët tanë”, theksoi shefi i BE-së.
Barroso theksoi se këtë vit Evropa kremton dy përvjetorë, i pari ka të bëjë me 5-vjetorin e zgjerimit më të madh të unionit dhe i dyti me 20-vjetorin e shembjes së perdes së Hekurt Komuniste. Këto dy ngjarje sipas kreut të KE-së, janë shumë të lidhura me njëra tjetrën. Në këtë drejtim ai falënderoi të gjithë popujt e vendeve ish-komuniste
të Evropës Lindore, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë për kurajën dhe sakrificat e treguara në rrëzimin e sistemeve diktatoriale komuniste.
“Me këtë akt shoqëritë e këtyre vendeve fituan një vend nderi në historinë Evropiane si dhe një rol të veçantë në ringjizjes e një identitetit të copëtuar evropian”, përfundoi Barroso.
Zhvillohet në Pragë Konferenca Ndërkombëtare “Zgjerimi i BE-së pas pesë viteve”
Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor, prioritet i Presidencës çeke të BE-së
Në përvjetorin e pestë të përkujtimit të zgjerimit më të madh të BE-së, Çekia e cila ka presidencën e radhës, ka ripërsëritur qëndrimin e saj prioritar, i cili lidhet me integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Këtë qëndrim, Çekia e ka rikonfirmuar në Konferenca Ndërkombëtare “Zgjerimi i BE-së pas pesë viteve”, e cila u mbajt dje në Pragë, si iniciativë e presidencës çeke të BE-së dhe të Komisionit Evropian (KE).
Qëllimi i konferencës është që të bëhen të ditura gjërat pozitive që i ka sjellë vazhdimi i evrointegrimeve. Kryesues të këtij takimi ishin kryeministri çek Mirek Topolanek dhe kreu i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso.
Duke komentuar raportin e KE-së, gjatë samitit të Brukselit, dy ditë më parë, Çekia, e cila si prioritet për presidencën e saj të BE-së, ka përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, e vlerësoi këtë raport, për sa i përket argumenteve të tij, si të rëndësishëm kundër lodhjes prej zgjerimit, që veçanërisht pas paraqitjes së krizës globale ekonomike, që ka kapur kontinentin e vjetër.