Nga poeti Zarballa tek elektricisti Bollano
Kryetari i parë i Organizatës Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, Omonia, është zgjedhur gazetari dhe poeti Andrea Zarballa nga Saranda. Mandati i tij ka përfshirë periudhën 1991-’92, kur ai ishte dhe një nga 5 deputetët e Omonias në Parlamentin e parë pluralist shqiptar. Dy mandatet pasardhës në krye të Omonias i përkasin Sotir Qirjazati, një ish i persekutuar politik, i dënuar nga shteti komunist për agjitacion e propagandë. Dy mandatet e Qirjazatit vlerësohet si më të vështirët në historinë 17-vjeçare të Omonias, pasi në këtë periudhë marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës u ashpërsuan deri në ngrirje, për shkak të një zinxhiri ngjarjesh që nisën me masakrën e Peshkëpisë. Pas kësaj periudhe, në krye të Omonias erdhi një tjetër i persekutuar dhe i dënuar politik, Jorgo Labovitjadhi, nga Gjirokastra, mandati i të cilit u shtri në periudhën 1996-1998.Mandati pasardhës (1998-2002) i përket politikanit të ri të minoritetit grek, Vangjel Dule, nga Goranxia e Gjirokastrës. Në periudhën 2002–2008 vijnë dy mandate të tjera, kur në krye të Omonias vihet pedagogu Jani Jani nga Gjirokastra, një nga 5 bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dules. Në rrethana krejt të papritura për zotëruesin e dy mandateve “të qeta” Jani Jani, më 10 mars të vitit 2008 në krye të Omonias vjen kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, elektricist me profesion. Mandatin aktual të kreut të Omonias e ka në dorë dhe po e konsumon aktualisht kryetari i Bashkisë së Himarës, një figurë krejt e panjohur në themelimin dhe vitet e para të veprimtarisë së saj, por që pas vitit 2000, pra në momentin e kandidimit të parë për postin e kryebashkiakut të Himarës e në vazhdim, një figurë që merr pozicion gjithmonë e më lart në Omonia.