E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e TienAnMen-it dhe ditari i dyshimtë që fajëson Ten Hsiao Pin-in

Në përvjetorin e masakrës që përgjaku protestat e studentëve kinezë

Në Hong Kong botohen për herë të parë ditarët e ish-kryeministrit kinez Li Peng, që fajëson drejtpërdrejtë Ish-Sekretarin e Partisë Komuniste Kineze Ten Hsiaoping për lëshimin e urdhrit për represionin e manifestimeve në sheshin kryesor “Tien An Men”. Manifestimet nisën me vdekjen per arrest kardiak të Hu YaoBang me 15 prill të 1989. Protesta nisi në mënyrë të qetë, nga dhimbja pas vdekjes së politikanit “reformist”, tek kërkesa që partia të merrte një qëndrim për vdekjen e tij. Protesta u acarua kur u morën vesh kundërshtimet e para midis protestuesve dhe policisë. Studentët besuan se Mediet kineze po shtrembëronin qëllimin e protestës së tyre, sepse ata donin vetëm të suportonin figurën e Hu. Me datë 22 prill, ditën e funeralit të Hu, studentët dolën në sheshin “Tien An Men”, në qytetin e Pekinit, duke kërkuar të takonin kryeministrin Li Peng. Por lidershipi komunist dhe mediet afër tyre i injoruan plotësisht kërkesat e tyre, çka bëri që studentët të deklaronin një ditë proteste të universitetit të Pekinit. Me datë 26 prill del në “Zhenminzhibao (Zërin e Popullit)” një shkrim i Ten Hsiaoping që akuzon studentët se po komplotojnë kundër shtetit dhe po bëjnë agjitacion në shesh. Ky shkrim provokoi studentët të cilët në një numër rreth 50 mijë dolën të nesërmen në shesh për të protestuar, duke injoruar kështu rrezikun e represionit. Me 4 maj plot 100 mijë veta marshuan rrugëve të Pekinit, duke kërkuar lirinë e medies dhe një dialog midis partisë dhe një përfaqësie të studentëve.
Ish-sekretari i Partisë Komunistë Kineze Ten Hsiaoping, pas një takimi me anëtarët më të vjetër të Komitetit qendror, deklaroi “ligjin e luftës” dhe urdhëroi personalisht me datë 3 qershor që ushtarakët të qëllonin mbi protestuesit. Bash këto ditë përkujtohet 23-vjetori i asaj që me cinizëm, diktatori komunist e shprehu me fjalët “jemi gati për t’u nxjerrë gjakun manifestuesve”. Këtë e dëften në një nga ditarët e mbajtur ato ditë, Kryeministri i atëhershëm Lui Peng, ditar i cili do të dalë në botim me 22 qershor, në një shtëpi botuese në Hong Kong. Me aq sa shkruan gazeta amerikane “New York Times”, në numrin e saj të djeshëm, ditarët e Li Peng paskëshin qenë gati për botim prej 6 vitesh, por deri më tani autoritetet kineze e paskan “këshilluar” të heqë dorë “hëpërhë”. Kurse sot, Li Peng në moshën 80-vjeçare, bile edhe i sëmurë, ia paska deleguar dikujt të drejtën që t’i dërgojë ato në Hong Kong për botim. Nuk jepen informacione mbi personin që i ka sjellë deri në shtëpinë botuese, thuhet në raportimin e NYTimes, duke cituar vetë botuesin.
Në sheshin “Tien An Men” vdiqën disa qindra protestues nën breshërinë e zjarrit të ushtarëve dhe të tankeve. Numri ekzakt, për të cilin disa thonë se i kalon 1 mijë, nuk u verifikua kurrë. Ditari i Li Peng ia atribuon vendimin për të shtypur protestën Shefit komunist Ten Hsiaoping (i vdekur në 1997), por disa dyshojnë se këta ditarë janë pjesë e një rindërtimi të interesuar të ngjarjes, prej regjimit aktual.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›