E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotografi Asllan Krasniqi në një veprimtari ndërkombëtare

Me nismën dhe nën përkujdesjen e komunës së Anderlechtit, një ndër më të mëdhatë e Brukselit, u zhvillua veprimtaria kulturore ndërkombëtare, titulluar “Ndalesat e Ballkanit” (Les Escales Balkaniques). Veprimtaria u hap mbrëmjen e 21 majit 2010 dhe vazhdoi dhjetë ditë, deri më 31 maj. Morën pjesë artistë nga Shqipëria, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
Programi dhjetëditor kishte parashikuar vepra të artit grafik, skenik, fotografik, folklor, si edhe gatime karakteristike të vendeve të Ballkanit. Për të nderuar artistët tanë, mbrëmjen e përurimit ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Republikës Kosovës, në krye me Ambasadorin, zotin Ilir Dugolli, Konsulli i Republikës së Shqipërisë, zoti Naim Mandri, dhe përfaqësues të tjerë të organizmave tona diplomatike në Bruksel.
Qysh mbrëmjen e përurimit, të premten më 21 maj, vizitorët e shumtë, bashkatdhetarë ose të huaj, u njohën me ekspozitën fotografike të artistit shqiptar Asllan Krasniqi, bashkëpunëtor i rregullt i gazetës 55. Titulluar “Trojet Etnike – Vendi i Shqiponjave dhe Pëllumbi i Bardhë” (Les Pays des Aigles & la Colombe de la Paix), ekspozita fotografike e Krasniqit vazhdon të qëndrojë e çelur edhe sot në sallën “Thomas Owen – l’Espace Maurice Carême 1/7, rue du Chapelain à 1070 Anderlecht”.
“Ndalesa” e së shtunës, 22 maj, i ftoi vizitorët të shijonin kuzhinën shqiptare me gatimet e amvisës Shqipe Kaciu, kurse ajo e ditës së premtes, 28 maj, tërhoqi artdashësit e artit skenik me një paraqitje të lavdërueshëm të aktores shqiptare Anila Dervishi në “Ditari i një gruaje në Kosovë” (Journal d’une femme du Kosovo), të autores Sevdie Ahmetit, vënë në skenë nga Zenel Laci, sipas adaptimit të Safet Kryemadhit, me pjesëmarrjen e muzikantit Afrim Jahja, videastes Nimetulla Parllaku, kostumistes Elona Meshi etj. Ishte kënaqësi e rrallë, pse jo, edhe krenari kombëtare të dëgjoje komentet e artdashësve të huaj, fill pas shfaqjes.
***
“Trojet Etnike – Vendi i Shqiponjave dhe Pëllumbi i Paqes” ishte padyshim ekspozita që tërhoqi më shumë vizitorë jo vetëm për kohëzgjatjen, por, sidomos, për arritjet artistike të fotografit me përmasa mbarëkombëtare, Asllan Krasniqi. Tema e ekspozitës e ka interesuar Krasniqin qysh në fillimet e veprimtarisë së vet si fotograf. Cikli në fjalë ngërthen foto të zgjedhura nga Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini etj. Objektivin e aparatit, fotografi ynë e ka fiksuar në objekte simbolike që mishërojnë traditën, kulturën, bukuritë e rralla natyrore të trojeve etnike shqiptare, të cilat historia i ka përpjesëtuar padrejtësisht në shtete të ndryshme të gadishullit ballkanik. Përmes tyre, vizitori njohu mjeshtrin e pasionuar të fotografisë që lëviz në kohë e në hapësirë dhe luan me ngjyrat e diellit mesdhetar.
Asllan Krasniqi ka lindur në Kosovë, më 10.10.1945. Që prej vitit 1967, jeton në Belgjikë. Veprimtarinë e vet si fotograf, e ka filluar qysh më 1963, përpara se të përfundonte shkollën e fotografisë në Lubjanë. Asohere, djaloshi amator i fotografisë ka fiksuar në celuloid refugjatët e parë kosovarë, të cilët strehoheshin në Maqedoni, për të ikur në Turqi. Më pas, Krasniqi përfundoi edhe kursin e Artit të Fotografisë në Paris. Që prej vitit 1970, si fotograf i pavarur, ka shëtitur në shumë vende të Kontinentit të Vjetër, në Amerikë dhe në Azi, me qëllim krijimin e një fototeke të pasur. Me fototekën e tij prej dhjetëra-mijëra fotografish, artdashësit e fotografisë mund të shëtisin që nga Vatikani, në Athinë e Stamboll; që nga rrënojat e Trojës së lashtë, te mbeturinat e Murit të Berlinit; që nga Kulla Ejffel e Parisit, te Kullat Binjake, tashmë të rrënuara të New-Yorkut; që nga atelietë e Hollivudit, në urat mbi det që lidhin dy kontinentet, në Bosfor e në Dardanele. Në fototekën e Krasniqit, njeriu mund të njihet me Statujën e Lirisë, me Shtëpinë e Bardhë, me Beverly Hills, me World Disney Land etj.
I pasionuar pas ngjarjeve të historisë sonë kombëtare, Asllan Krasniqi ka ndjekur ditët e paharruara të Rambujesë, Eksodin e Madh të kosovarëve në Shqipëri e në Turqi, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ceremoninë mortorte të Presidentit Rrugova, vizitën e Princit Filip, trashëgimtar i fronit të Belgjikës, me princeshën Matilde, gjatë kohës së fejesës etj. etj. Ai nuk ka lënë pa fiksuar edhe personalitete politike të kohës, vendas e të huaj, që nga Presidentët e Shqipërisë Berisha, Meidani, Moisiu e Topi, te ata të Kosovës, Rrugova e Sejdiu; që nga Bill Klintoni, te Bushi e te Toni Bleri; që nga Kofi Anan, te Karla del Ponte.
Asllan Krasniqi është anëtar i Organizatës Botërore të Shtypit Periodik, i Akademisë Europiane të Arteve, i Shoqatës së Gazetarëve në Shqipëri, si edhe i Shoqatës së Fotografëve “Gjon Mili”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›